Personat që ende nuk kanë tërhequr kartën e identitetit dhe nuk disponojnë një pasaportë, kanë të drejtë sot për të shkuar në qendrat e shpërndarjes të terheqin kartën dhe më pas të votojnë. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Ministria e Brendshme sqaroi se afati për tërheqjen e kartave të identitetit është caktuar deri në orën 19:00 të ditës së diel. Mbi 1.4 milionë shqiptarë kanë aplikuar për të marrë kartën e identitetit dhe kanë ngelur prej tyre vetëm 160 mijë persona, të cilët nuk kanë tërhequr ende kartat. Mbi 250 mijë persona të cilët nuk kanë as pasaportë dhe as kartë identiteti, duke u përjashtuar në mënyrë kategorike nga votimi ditën e sotme. Pak orë para hapjes së qendrave zgjedhore, ministria njoftoi se kërkon që të gjithë qytetarët të cilët nuk i kanë marrë kartat, të shkojnë dhe të pajisen me to, për të pasur mundësi që deri në minutat e afatit të fundit të shkojnë për të votuar. Në këtë deklaratë, ministria u kërkon gjithashtu të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në votime. “Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për t’ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe të dielën gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.