Shqipëri – Në shtator publikohet raporti për zgjedhjet

Me këtë raport, zgjedhjet shqiptare të 28 qershorit priten të marrin notën europiane sa i takon standardeve të arritura apo jo gjatë zhvillimit të tyre. Raportues i zgjedhjeve në Shqipëri në këtë asamble do të jetë hungarezi Matias Eorsi, ndërsa raportuesja për komisionin ad-hoc të Byrosë parlamentare do të jetë holdandezja Corien ë.A. Jonker. Nga kjo “notë” do të varen edhe procedurat për diskutimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, që Shqipëria e dorëzoi më 28 prill të këtij viti si dhe përparimi në integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian. Në fakt, dy raportet paraprake për këto zgjedhje, ai parazgjedhor, i cili u publikua 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe ai i 10 korrikut, nuk treguan se ishin optimistë për këto zgjedhje. Në raportin parazgjedhor u kritikuan institucione të tilla si Ministria e Brendshme, që shpërndau informacione jo të sakta lidhur me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Ndërsa ai i 10 korrikut i dha me detaje vërejtjet e tij sa i takon zgjedhjeve në Shqipëri, ku përfshiu edhe procesin e numërimit të votave, i cili zgjati rreth një javë e gjysmë. Numërimi i ngadaltë i votave dhe plot ndërhyrje politike, mosndërhyrja e KQZ-së në zgjidhjen e situatave në disa qendra numërimi, politizim i debatit në KQZ gjatë diskutimit për tabelat përmbledhëse të rezultateve, si dhe kamerat të cilat sipas vëzhguesve nuk e arritën dot transparencën e kërkuar ishin disa nga çështjet e shtruara në këtë raport.

Advertisement