Shkodër | Asgjësohen 115 mijë rrënjë bimë narkotike

Policia e Shtetit ka vijuar operacionin për asgjësimin e bimeve narkotike në zonën e Dukagjinit.

Aktualisht në operacion janë të përfshira 147 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe të forcave speciale RENEA. Në dispozicion të këtyre forcave janë vënë 20 automjete, si dhe 3 mjete lundruese për transportin e tyre përgjatë liqenit në Koman. Policia e Shtetit bënë me dije se “gjatë ditës së sotme forcat e policisë në terren po operojnë të ndara në 9 grupe për kontrollin e territorit dhe asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në tre komuna, përkatësisht në komunën Temal në fshatin Toplanë, në komunën Shllak në fshatin Benë dhe në fshatin Bruçaj të komunës Pult”. Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se “Deri në këto momente nga këto forca është mundësuar asgjësimi i 1.000 rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, kryesisht në fshatin Benë. Ndërkohë, gjatë 8 ditëve të këtij operacioni të gjerë të zhvilluar në komunat e zonës së Dukagjinit, nga forcat e policisë janë asgjësuar rreth 115.000 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa”.

Advertisement