Shefi i Thesarit në Vatikan akuzohet për abuzime seksuale

Shefi i Financave të Vatikanit, kardinali George Pell, figura më e lartë katolike e Australisë, përballet në vendin e tij me një aktpadi për abuzime seksuale.

Akuzat, sipas policisë në shtetin e Viktorias, lidhen me incidente të vjetra dhe janë bërë nga më shumë se një person. Si kujdestari i Thesarit në Selinë e Shenjtë, Pell konsiderohet zyrtari i tretë më i lartë i Kishës Katolike. Ai vetëmohon me forcë çdo akuzë. Në një deklaratë të lëshuar me këtë rast nga kisha, thuhet se “kardinali do të kthehet në Australi sa më shpejt që të jetë e mundur për të pastruar emrin e tij, pasi të këshillohet e të marrë dritën jeshile të mjekëve për të udhëtuar. Ai po e pret ditën e daljes në gjyq, ku do të vetëmbrohet fuqishëm”.

Advertisement

Pell ka qenë për dy dekada me radhë një prej figurave më të zëshme të Kishës Katolike në debatin mbi çështje polemizuese siç është ajo e homoseksualitetit. Ai është kujdesur gjithashtu edhe për përgjigjet zyrtare që i janë dhënë pretendimeve për abuzime seksuale brenda radhëve të kësaj kishe në Australi.

Kur dëshmoi vitin e kaluar në një video-konferencë në Komisionin Mbretëror, disa prej viktimave të abuzimeve udhëtuan deri në Romë për ta dëgjuar.

Policia nuk ka dhënë detaje mbi akuzat e ngritura ndaj 76-vjeçarit, të cilat datojnë që nga koha kur ishte kryepeshkop i Melburnit dhe prift i thjeshtë në qytetin Ballarat.