Sebastian Kurz fitoi zgjedhjet në Austri, duke u kthyer në drejtuesin më të ri të qeverisë në planet.
Kreu i Partisë Popullore, Kurz është vetëm 31 vjeç dhe u zgjodh kancelar i Austrisë. I njohur dikur si fëmija gjeni, Kurz u lind më 2 gusht të 1986-s. Babai i tij ishte inxhinier, ndërsa nëna mësuese. Ai ka studiuar për drejtësi, por pasioni për politikën e shtyu ta linte shkollën, duke zgjedhur të përfundonte shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në jetën private, Kurz është një njeri shumë i qëndrueshëm dhe romantik. Ai ka të njëjtën partnere që në kohët e shkollës, bjonden Susanne Thier, 5 vite më e re sesa ai. Gjatë fushatës zgjedhore, ajo i ka qëndruar gjithmonë në krah, e tani përgatitet të marrë rolin e Zonjës së Parë austriake.
Marshi drejt pushtetit i Sebastian Kurz të lë pa frymë. Vetëm 24 vjeç, ai u zgjodh zv.sekretar i Integrimit; deputet u bë në moshën 26-vjeçare dhe ministër i Jashtëm një vit më vonë. Udhëtimet e tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së flasin vet. Vetëm takime të nivelit të lartë, ndërhyrje të dëgjuara me shumë vëmendje për kërcënimin e Islamit radikal, debate me Henri Kissinger.
Mënyrat e sjellshme, figura elegante dhe tiparet djaloshare e kanë bërë atë një yll të diplomacisë ndërkombëtare. Në vitin 2016, Kurz rezultoi vendimtar për mbylljen e itinerarit ballkanik të emigracionit dhe kritikoi publikisht politikën e dyerve të hapura të Angela Merkelit.
Me politikat kundër emigracionit, luftës ndaj Islamit radikal, dëbimet e lehta për refugjatët që nuk respektojnë ligjin, e mbylljen e kufijve të jashtëm të BE-së, në vetëm 3 muaj Kurz bëri për vete austriakët.
Tani duhet të tregojë se di edhe t’i qeverisë ata.