Sarandë | Arrest me burg për Canen

Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Agron Canen, i cili akuzohet për ngacmim seksual dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm për një vend pune.

62-vjeçari i arrestuar ditën e shtunë, pas publikimit të një video përgjimi në një media private në vend, u njoh sot me akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj tij. Prokuroria i kërkoi trupës gjyqësore masën e sigurisë, “arrest me burg”, çka u pranua nga gjyqtarja Enkeleda Doda. Avokati mbrojtës i Canes, Gjergji Imeraj ka kundërshtuar akuzat gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore. Avokati thotë se përgjimi është i jashtëligjshëm sepse nuk është kryer konform rregullave ligjore dhe ende nuk është bërë ekspertiza e korrektësisë së videos. Seanca e masës së arrestit u zhvillua me dyer të mbyllura në gjykatën e rrethit Sarandë, ndërsa Cane ndodhet i siguruar në ambientet e izolimit të komisariatit të këtij qyteti. Prokuroria ka formuluar akuzat në ngarkim të Agron Canes dhe konkretisht “abuzim dhe ngacmim seksual” dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm për një vend pune”. Agron Cane, aktivist në zyrën e deputetit të Partisë Socialiste të qarkut Vlorë për Sarandën, Koço Kokdhima, u përgjua nga shtetasja me Inicialet E.G duke kërkuar favore seksuale me vajzën 14-vjeçare të E.G, në këmbim të një vendi pune.

Advertisement