Nisur nga situata e pandemisë në vend dhe rritja e rasteve të infektimit me COVID-19, Policia e Shtetit bën me dije se në bashkëpunim me institucionet e Task Forcës do të intensifikohen kontrollet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, iu ka kërkuar drejtuesve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, me qëllim monitorimin e zbatimit të masave antiCOVID, jo për të vendosur gjoba, por me qëllimin e vetëm parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nisur nga shtimi i rasteve, Veliu ka theksuar se punonjësit e Policisë në terren duhet të intensifikojnë kontrollet në lokale dhe duhet të ushtrojnë kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde e në çdo ambient publik, duke treguar zero tolerancë ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë.
“Policia e Shtetit është e angazhuar për të zbatuar të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë. Çdo ditë jemi duke kontrolluar dhe monitoruar masat, por kjo situatë ka ardhur duke u rënduar. Jemi munduar të sensibilizojmë dhe qytetarët të na mirëkuptojnë, por shifrat e fundit në rritje dhe vala e fundit si në të gjithë Europën edhe këtu tek ne, na detyron që ne të veprojmë ndaj çdonjërit që thyen rregullat e vendosura për pandeminë.
Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid, nuk vendosin maska, nuk respektojnë distancimin social dhe detyrimet e përcaktuara në e-Albania, për sa i përket distancave në lokal dhe oraret e mbylljes së lokaleve.
Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe bizneseve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë me seriozitet për të ndëshkuar çdo qytetar i cili nuk respekton këto rregulla. Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë. Një kontribut i çdonjërit nga ne është një vlerë e shtuar dhe është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe që i jepet kontributit që duhet të japi çdo qytetar për të mposhtur pandeminë”, tha Veliu.
Burimi: Opinion