Rrëzohet një helikopter rus në Siri, 5 të vdekur

Një helikopter rus i tipit “Mi-8” është rrëzuar nga një predhë e lëshuar nga territori sirian, pasi kishte dërguar ndihma humanitare në Aleppo. Lajmi konfirmohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate. Tre personat e ekuipazhit, si dhe dy oficerë ushtarakë nga Qendra ruse e Pajtimit ishin duke u rikthyer në bazë. Të pestë ata janë shpallur të vdekur sipas asaj që bëhet e ditur nga Kremlini. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov konfirmoi përmes një deklaratë të pak minutave pas ngjarjes se, të gjithë personat në bordin e helikopterit kanë vdekur.
“Pjesëtarët në bord janë vrarë, sipas asaj që kemi mësuar nga një raportim i Ministrisë së Mbrojtjes. Ata ranë heroikisht, teksa po përpiqeshin të devijonin helikopterin në mënyrë që të shkaktonin sa më pak viktima në terren”, tha Peskov. “Kremlini ofron ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të atyre që ranë në krye të detyrës”, shtoi ai.
Ministria ruse nuk ka bërë ende të ditura identitetet e personave në bord.

Advertisement