Prifti polak Krysztof Charamsa është homoseksual dhe ka punuar për 13 vjet në Kongregacionin e Besimit në Vatikan. Dikur ai doli hapur….

Për vite me radhe ai e mbante fshehur faktin se ishte homoseksual. Por një ditë përpara se në Vatikan të diskutohej në një sinodë për familjen dhe seksualitetin ai doli në fotografi në një restorant në Romë me bashkëshortin e tij spanjoll. Këto fotografi u përhapën në të gjithë botën. Teologu polak, ish-bashkëpunëtor i kongregacionit të besimit, që jep mësim në dy universitete ipeshkvore, e zgjodhi qëllimisht këtë moment për të dalë hapur si homoseksual.

Advertisement

Por deri në këtë moment për Krysztof Charamsan qe një rrugë e gjatë. Ai e donte jetën e tij në Vatikan, por kur ishte fjala për nevojat e tij personale – ai e kalonte kohën për vite me radhë në vetmi, në heshtje, i tërhequr, duke studiuar dhe publikuar. Ai nuk mund të fliste me asnjë njeri që i pëlqenin meshkujt – sidomos jo në Vatikan, ku homoseksualiteti nuk pranohet.

“Unë them gjithmonë se burri im ma ka kthyer frikën time në forcë, energji dhe dashuri. Unë jam i lirë, unë jam i lumtur.” tregon Krysztof Charamsan.

Charamsa donte të punonte në kongregacionin e besimit. Kjo qe ëndrra e tij. Ai punoi aty 13 vjet dhe ishte ithtar i madh i kardinalit Ratzinger, i cili e kryesonte atë për shumë vite. Atij nuk i pëlqente qëndrimi ndaj homoseksualizmit ose shakatë që bëheshin për homoseksualët. Por ai nuk guxonte të rebelonte.

“Në rini kam qenë vërtetë besimtar. I sigurt, se homoseksualët janë njerëz të këqinj, me sëmundje patologjike, që ata nuk mund të jetojnë me ne, që ata të gjithë nuk do të përfundojnë në qiell, ata janë të rrezikshëm dhe të pistë.” – tregon Charamsan.

Kur Papa Benedikti nënshkroi një ligj që thoshte se asnjë homoseksual nuk lejohet të bëhet prift, sepse një homoseksual është si një i sëmurë mendor, për Krysztof Charamsan u mbush kupa. “Ky ishte një ligj një diskriminim i vërtetë ndaj një pjese të njerëzve. Dhe atë moment e kuptova për herë të parë se si flet Kisha ime për mua.” – tregon ai.

Zhgënjim nga Papa Françesku

Pastaj: Një dritëz shprese për polakun: gjatë një udhëtimi për në Rio de Zhanero Papa Françesku iu përgjigj një pyetje për homoseksualët e mundshëm në Vatikan me fjalët: “Nëse dikush është homoseksual dhe kërkon ndihmën e Zotit, kush ma jep mua të drejtën që të gjykoj për të?

Krysztof Charamsas i kujtohen mirë fjalët e Papës. Ai thotë se nuk e di me saktësi, po se mendon se gjysma e atyre që shërbejnë në Vatikan janë homoseksualë

“Shpresa ime ishte Papa Françesku – por ai është i vetëm. Françesku nuk ka bashkëpunëtorët e duhur për të hapur një proces reflektimi si ai i kishës protestante dhe anglikane.” – thotë Krysztof Charamsa.

Por ai u zhgënjye – Papa Françesku nuk e mbështeti hapjen, madje sipas tij bëri të kundërtën.

Charamsas thotë se ai ka qenë dhe mbetet një katolik i devotshëm. Por pasi doli hapur si homoseksual Vatikani e pushoi nga puna. Familja e tij në Poloni e mbështet dhe e ka pranuar homoseksualitetin e tij. Kjo e bën atë të lumtur.

Ai u sulmua nga të krishterë konservatorë. Shumë nga ata që si ai e kanë fshehur prej vitesh se janë homoseksualë, kanë kërkuar ndihmë prej tij. Ai nuk është penduar për asgjë – sot jeton me partnerin e tij në Barcelonë dhe shpreson që edhe të tjerë do të gjejnë kurajon për ta pranuar se janë homoseksualë.