Riorganizimi i Urgjencës Mjekësore, Beqaj: Më tepër siguri për qytetarët

Falë riorganizimit në territor të urgjencës mjekësore, qytetarët e Qarkut të Vlorës do të përfitojnë tashmë një shërbim më cilësor dhe më të shpejtë.

Rishpërndarja dhe shtimi i numrit të autoambulancave, si edhe rritja e numrit të personelit me infermierë dhe shoferë do të mundësojë funksionimin me kapacitet të plotë dhe efiçencë të lartë të këtij shërbimi në këtë qark.

Advertisement

Ministri i Shëndetësisë  Ilir Beqaj dhe Drejtori i Urgjencës Kombëtare,  Skënder Brataj prezantuan në një takim me mjekë, infermierë e punonjës të kujdesit shëndetësor të Vlorës  ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorë,  Dritan Leli, programin e riorganizimit të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore në këtë qark, ku në sajë të këtij sistemi të ri, nga 1 autoambulancë funksionale për 54 mijë banorë, zbret në 1 për 22 mijë.

Gjatë fjalë së mbajtur, ministri Beqaj tha se nga analiza e bërë, nëse Shqipëria ka në gatishmëri në çdo moment rreth 130 autoambulanca mund të japë një përgjigje optimale për çdo urgjencë që mund të kenë pacientët.

Kreu i Shëndetësisë theksoi se sa më shumë t’i shërbejmë pranë qytetarëve do të fillojë të minimizohen rastet e urgjencave që paraqiten në spital me automjetet e tyre.