Rinia shqiptare prej kohësh ndodhet në udhëkryq papunësie e kjo ka sjellë një dyndje të të rinjve e të rejave në bizneset Call Center, të cilat kanë vërshuar vitet e fundit në vendin tonë për shkak të kushteve të favorshme, mes të cilave taksat e ulëta dhe njohja relativisht e mirë e gjuhës italiane nga rinia shqiptare.

Por së fundmi, në Itali ka kaluar një ligj që mund t’i shkaktojë një goditje të madhe të biznesit Call Center në vendin tonë nëse kalon ashtu siç është aktualisht, pa ndryshime.

Advertisement

Ligji është miratuar nga parlamenti dhe pritet të kalojë në senat.

Por si pritet të ndikojë ligji në rast se miratohet, pasojat e tij dhe sa preket biznesi Call Center në vendin tonë, e ka sqaruar në detaje, në një intervistë ekskluzive për Blitz.al, Gentian Drenova, kreu i shoqatës së bizneseve Call Center në vendin tonë.

Ja intervista me të:

Z.Drenova, në çfarë faze ndodhet ligji për Call Center-at në Itali?

-Gjatë kësaj jave pritet të jetë në diskutim. Nuk është caktuar një datë kur do të diskutohet në senat. Nuk ka një datë fikse sepse mund të ketë ndryshime.

Me aq sa e keni shqyrtuar këtë ligj, si duket?

-Ligji nuk është aspak i mirë edhe për tregun italian të punës, por sidomos për tregun shqiptar, ku nëse kalon do të ndikojë keq.  Ligji parashikon emigrimin e vendeve të punës ose kontratave brenda Bashkimit Europian, për të mos qëndruar jashtë kufijve ligjorë të BE-së.  Është show i qeverisë “Renzi” dhe lobim i një kompanie të madhe në Itali, për të sjellë në vendin e tyre bizneset.

Çfarë lobimi është përdorur nga ana juaj?

-Ne jemi përpjekur të bëjmë maksimumin me mënyrat tona të lobimit. Çfarë e bën më tepër problematik ligjin është se nga ana teknike është thuajse i parealizueshëm, sepse kërkon investim të madh nga kompanitë. Sot kur merr në telefon lajmërohet që jemi nga Shqipëria. Kurse ligji i ri thotë specifikisht se duhet t’i pyesësh klientët nëse pranon të merret nga Shqipëria ose jo. Kemi parë që pjesa më e madhe e mediave në Itali kanë punuar pro ligjit, duke e nxitur atë të kalojë.  Por unë mendoj se investitorët italianë nuk kanë për t’u kthyer në Itali dhe në rast se kthehen në Itali do të mbyllen ose do të kenë probleme të tjera. Pra, ligji ka efekt negativ te bizneset Call Center edhe nëse kthehen në Itali.

Por nëse i dëmton bizneset italiane, pse diskutohet për t’u kaluar në fuqi? Qeveria italiane po punon kundër interesave të bizneseve të saj me këtë logjikë?

-Mund të jetë show, siç e thashë edhe më sipër. Por janë disa aspekte teknike që mund të jetë të favorshme për bizneset italiane, në rast se kthehen. Veçse në përgjithësi i dëmton bizneset italiane nëse ligji kalon. Pra, nuk jemi vetëm ne të dëmtuar, por edhe vetë bizneset e investitorëve italianë.

Si është situata aktualisht që ligji është në pritje për t’u diskutuar? A ka pasur mbyllje biznesesh Call Center në Shqipëri?

-Deri tani nuk ka pasur mbyllje Call Center-ash nga ligji. Por nga tregu informal ka rrjedhje, sepse ka edhe mashtrues që vijnë në treg dhe punojnë në të zezë, të cilët herë pas here mbyllen sepse nuk veprojnë legalisht. Tregu ka qenë i paedukuar deri sot dhe ka pasur firo në punonjës, por jo në kontrata.  Efekt anësor kalimi i ligjit ka pasur në prurjet e reja të punëve, pra ka pasur frenim. Në 6 muajt e parë të vitit ka pasur investitorë të cilët donin të investonin, kurse pas diskutimit dhe kalimit në parlament të ligjit interesi i tyre është zbehur dhe nuk janë interesuar më, pra janë larguar.

Cilat janë efektet konkrete të ligjit, nëse kalon?

-Në rast se kalon kështu siç është penalizon kompanitë e mëdha që janë në Shqipëri, pra nuk i lejon që kontratat e reja të kryhen në shpejtësi kohe njësoj si më parë.  Do të ketë kosto të mëdha te sistemi “inbound”. Duhet investim në infrastrukturë IT, në ndryshimin e sistemit telefonik, pra klienti duhet të shtypë 1 ose 2 ose numra të tjerë për t’u lidhur me komunitetin europian ose jashtë tij. Pra ngadalësohet procesi dhe kontratat do të pakësohen, çka do të ndikojë drejtpërdrejt te fitimi i kompanive.  Në të njëjtën formë penalizohet edhe “outbound”-i. Sepse para se të formulohej flitej për “inbound”-in, por tani prek edhe “outbound”-in. Sepse tregu në Shqipëri është më i madh në “outbound”, 70-80%.  Do ketë kufizime, spostime të Call Center-ave me vështirësi financiare për shkak të faturave të papaguara, sepse kontratat deri sot janë pa leverdi. Po lobojmë që të ketë punë edhe nga vende të tjera të BE-së. Kemi prezantuar Shqipërinë si vend për të punuar. Edhe për anglishten apo gjermanishten, sepse shqiptarët kanë njohje shumë të mira të këtyre gjuhëve. /Blitz.al/