Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka reaguar pas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë për përfundimin e aksionit policor në Komanovë. Ai konfirmoi numrin e viktimave, ndërsa tha se personat e plagosur shumë shpejt do të kthehen në shtëpitë e tyre.
“I falënderoj të gjithë policët të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion, më i komplikuari deri më tani. Grupi nuk gjeti mbështetjen e popullatës. Kjo s’është përleshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por i atyre që e ruajtën kushtetutën dhe shtetin dhe atyre që e sulmuan atë”, tha Gruevski.
Ai shtoi se qëllimi i grupit të armatosur ishte destabilizimi i Maqedonisë. Kryeministri i Maqedonisë shtoi se do t’iu ndërtohen shtëpitë dhe ndihma financiare atyre që iu janë dëmtuar shtëpitë.
“Qëllimi i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë. Ka pasur koordinim ndërmjet institucioneve të shtetit, ndërmjet policisë dhe ushtrisë. Koha e veprimit ishte bërë në momentin e duhur. Rreth 30 terroristë, pas luftimeve janë dorëzuar. Të njëjtët janë arrestuar dhe do të gjykohen në Maqedoni. 14 trupa të personave të grupit janë gjetur të vdekur dhe po mësohet identiteti i tyre. Një numër i konsiderueshëm prej tyre janë pjesë e sulmit në Gushincë”, tha Gruevski.