Disiplina e hekurt me të cilën e nisi punën në Kombëtaren shqiptare trajneri i ri Christian Panucci, preku Sokol Cikalleshin duke e lënë atë jashtë skuadrës në dy ndeshjet eliminatore.

Sulmuesi ka reaguar për “Supersport” duke sqaruar situatën. Këtë të hënë ai nënshkroi kontratën me një klub të ri, Osmpanlispor, për më tepër me parametra të rëndësishëm financiar, por u kthye në një ditë të trishtueshme për sulmuesin shqiptar, pasi trajneri Christian Panucci vendosi të mos e marrë për ndeshjet e radhës për shkak se lojtari nuk u paraqit në kohë në grumbullim. Vetë 27-vjeçari sqaroi opinionin publik për situatën e krijuar me trajnerin e ri duke shprehur dhe keqardhjen për këtë vendim të marrë ndaj tij.

Advertisement

“Sot mbylla një nga transferimet më të suksesshme të karrierës. Për këtë jam i lumtur, por i mërzitur për keqkuptimin e ndodhur me trajnerin. Unë e mora në telefon atë për të më toleruar disa orë për arsye objektive dhe për këtë mora një përgjigje negative nga stafi i Kombëtares. Ndodhi sot dhe duhet të isha që të firmosja. Çdo njeri e di se gjatë gjithë karrierës time si futbollisti nuk jam penalizuar asnjëherë për thyerje disipline dhe këtë thjesht nuk mund ta pranoj. Unë i uroj suksese ekipit në dy ndeshjet e radhës. Është apo jo Cikalleshi kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është fitorja e ekipit Kombëtar”, u shpreh sulmuesi i Kombëtares.

Osmanlispor pagoi 2 milionë euro për kartonin e Cikalleshit, me futbollistin që firmosi një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë në total 2.5 milionë euro në sezon.