Reagimet pas referendumit për Brexit

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk qe nga të parët që komentoi Brexit-in duke thënë se përbën një “moment politik shumë serioz, madje dramatik” dhe këmbënguli se është i përkushtuar të ruajë unitetin e 27 vendeve të BE-së. “Nuk ka pse e fshehim faktin që dëshironim një tjetër rezultat të këtij referendumi. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm se çfarë pasojash dramatike do të ketë ky zhvillim politikisht, por dua t’i siguroj të gjithë se jemi të përgatitur edhe për këtë skenar negativ. I kam kaluar dy ditët e fundit duke diskutuar me liderë të BE-së mbi mundësinë e një Brexit-i”, tha Tusk.
Në Parlamentin Europian lajmi i fitores së kampit në favor të largimit, ka sjellë trishtim.
“Ky është një moment i vështirë për të dyja palët, si për BE-në, ashtu dhe për Mbretërinë e Bashkuar. Tani do të fokusohemi tek aspekti ligjor e ai procedurial për të parë hapat që do të hidhen në vazhdimësi. Po hyjmë në kohë të trazuara, e na lipset stabilitet”, deklaroi Presidenti i PE-së, Martin Schulz.
Kancelarja Angela Merkel shprehu keqardhje të thellë pas lëvizjes britanike për largim.
“Po jetojmë në një botë të trazuar, por Europa duhet të qëndrojë e qetë dhe e bashkuar, e si një e tërë duhet t’i bëjë dhe analizat e marrjen e vendimeve”, u shpreh Kancelarja.
Shefja e ekzekutivit gjerman do të mbajë të hënën në Berlin një samit post Brexit-it me kryeministrin italian Matteo Renzi, me kreun e KE-së,Tusk dhe presidentin francez Francois Hollande. Lëvizja nxjerr në pah vendosmërinë e kancelares për ta mbajtur bllokun të bashkuar, pavarësisht presioneve politike apo atyre populiste në mbarë kontinentin. Të katërt ata do të përgatiten me pas për takimin e Këshillit Europian që Tusk do të drejtojë ditën e mërkurë.

Advertisement