Rama: Vende pune ka, por s’ka profesionistë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Vaqarr për nxitjen e punësimit, deklaroi se sot në Shqipëri ka vende pune, por nuk ka profesionistë që t’i përgjigjen nevojave.

Kreu i qeverisë tha se programet e punësimit nuk janë ende të mjaftueshme, por janë disafish më të larta, si në financim apo rezultate, krahasuar me dy vjet e gjysëm më parë. Rama nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes arsimit profesional dhe sipërmarrjes.

Advertisement

“Ne kemi bindjen se duhet të rrisim bashkëpunimin me sipërmarrjen, ndërveprimin me të. Kapacitetet logjistike, infrastrukturore dhe njerëzore të arsimit profesional, duhet të jenë të lidhura si mishi me kockën me sipërmarrrjen”, u shpreh kryeministri.

Ministri i Mirëqenies Sociale,  Blendi Klosi gjatë prezantimit të 7 programeve të nxitjes së punësimit, vuri në dukje numrin e përfituesve që shkon deri në 10 mijë veta.

Klosi gjatë fjalës së tij i bëri sërish apel të rinjve për t’ju drejtuar profesioneve duke vënë në dukje mungesën e punonjësve të kualifikuar në Shqipëri. Ai tha se në Shqipëri ka punë por nuk ka profesionistë.

Ministri Klosi renditi 7 programet e nxitjes së punësimit si: grupet e veçanta, programi i formimit përmes punës, programi i të rinjve të sapodiplomuar, programi për femrat kryefamiljare dhe vajzat nëna, programi për punësimin e jetimëve dhe personave me aftësi të kufizuar.

Ai u bëri thirrje grupeve të ndryshme shoqërore që të mund të aplikojnë në këto programe dhe dhe të shohin arsimin profesional si një mundësi për një punë të denjë. Po ashtu, Klosi vuri në dukje se një rol të rëndësishëm në arsimin profesional kanë edhe bizneset shqiptare.

“Reforma gjithëpërfshirëse nuk mund të ketë kuptim pa mbështetjen e biznesit. Ne sigurisht, trashëguam një sistem të çorientuar por sollëm në vëmendje arsimin profesional dhe do të vazhdojmë me çdo përpjekje për të nxitur të rinjtë drejt zanateve. Shumë shpejt do të ngrejmë një sistem të përbashkët modern për punësimin në Shqipëri, me punonjës të kualifikuar”,shtoi Klosi.

Drejtoresha e PNUD-it, Yesim Oruc u shpreh se “ne jemi krenarë që të mund të punojmë së bashku me ju për të përballuar sfidat që kemi për punësimin. Unë mezi pres që të bashkëpunoj në të ardhmen që të mund të shohim të gjithë rezultate të ngjashme”.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Biznes Albania, Luan Bregasi tha se “ne kemi bërë disa takime rajonale së bashku me ministrin Klosi, në Elbasan, Korçë etj. Ajo që vumë re ishte që kishte vende të lira pune, por nuk kishte profesionistë të kualifikuar, për sektorin privat në mënyrë të veçantë. Përgatitja dhe kalimi në parlament i projektligjit për licencimin e zanateve është një hap i  rëndësishëm për shoqërinë shqiptare”.