Kryeministri Edi Rama i është bashkuar sërish diskutimeve sa i takon çështjes së krijimit të qeverisë maqedonase, duke iu kundërpërgjigjur zërave që janë kundër platformës shqiptare, si rasti i presidentin Gjeorgje Ivanov. Në rubrikën e tij ‘Amarcord’, kreu i Qeverisë shqiptare u rikthye pas në kohë, duke kujtuar kontributin e bandës muzikore shqiptare në Shkup, e cila sipas tij tregon dhe identitetin e vërtetë të shqiptarëve etnikë.
“Në mars 1912, 105 vjet më parë, banda muzikore shqiptare në Shkup i linte trashëgim historisë dhe mendjeve të ndriçuara, nëpërmjet kësaj fotoje të Marubit, mesazhin gjithmonë të vlefshëm, se identiteti i vërtetë i shqiptarëve etnikë është frut i luftës për emancipim kulturor, arsimor dhe gjuhësor dhe jo i dyfekut të përçarjes apo mbisundimit mbi tjetrin. Megjithëse në distancë të barabartë mes Perëndimit dhe Lindjes, kjo është një nga vetitë që na bën parësisht europianë, të besës, paqedashës, shtetformues dhe universalistë kudo ku jemi autoktonë ”, citohet në reagimin e Ramës.
Ndërkohë, më 7 mars, një ngjarje e paprecedentë ndodhi në Manastir të Maqedonisë, ku disa huliganë sulmuan dhe tentuan të digjnin Muzeun e Alfabetit shqip.