Rama në Elbasan: Masa të tjera kundër krimeve ndaj mjedisit

Kryeministri Edi Rama vlerësoi të hënën moratoriumin 10-vjeçar për pyjet si të vetmen përgjigje ndaj shfrytëzimit barbar të tyre, ndërsa u shpreh se masa të tjera të rëndësishme do të ndërmerren kundër krimeve ndaj mjedisit, në mënyrë që në fund të 10 viteve Shqipëria të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka ishin sot në Elbasan, ku nisi zbatimi i projektit të ripyllëzimit të zonës së degraduar përgjatë lumit Shushicë dhe sistemimi i shtratit të lumit Shkumbin në zonën e erozionit, sipas një projekti të hartuar në kuadër të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve dhe sezonit vjetor të pyllëzimit.

Advertisement

Duke nënvizuar “koston e tmerrshme të shumë viteve shfrytëzimi barbar të pyjeve”, Rama tha se “moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë dhe nuk ka shtet që e mbron dot popullin nga uji”.

Ndërkohë, ai siguroi se “dhe mbjellja e fidanëve për të siguruar gjithë mbrojtjen në pikat kritike dhe për t’u shtrirë në të gjitha fashat e shkretuara nga sëpata e gjithë këtyre viteve, do të vazhdojnë intensivisht”.

“Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjërat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi, dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës”, tha Rama.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka, u shpreh se masat shumëdimensionale të ndërmarra deri tani, do të jenë afatgjata, deri në rehabilitimin e plotë të sipërfaqeve të dëmtuara.

“Kjo është një nga pjesët e dëmtuara pas reshjeve. Fenomeni më i fundit që po ndodh në Shqipëri, – jo vetëm përmbytjet që ndodhin në mënyrë tradicionale në veriun e Shqipërisë, në ultësirat e Lezhës,- tashmë ka filluar edhe në zonën e jugut, por dhe këtu në Elbasan. Masat që ne kemi parashikuar janë shumëdimensionale, që nga moratoriumi që unë e konsideroj një vendim historik. Ne kemi filluar rehabilitimin në disa zona shumë të degraduara siç është dhe ky rast në fjalë, por përgjatë gjithë vitit, planet janë për të punuar në vijimësi”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini informoi se krahas projekteve që do të nisin nga zbatimi, bashkia ka bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme emergjente, për të lehtësuar dëmtimet nga përmbytjeve dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës.

Fatmir Brazhda përfaqësues i Drejtorisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shpjegoi se fenomeni i përmbytjeve të ndodhura së fundmi, vijnë si shkak i prerjes së pyjeve në malin e Sopotit, gërryerjes dhe erozionit. Ai u shpreh se projekti i ri për mbjelljen e fidanëve, i cili do të vihet në zbatim, është një masë e rëndësishme parandaluese.

“Dua të falënderoj dhe ministrin për angazhimin për moratoriumin e pyjeve. Ne kemi marrë masat për të mbjellë 3000 fidanë akacie dhe plep, për të zbutur sadopak fenomenin e përmbytjeve. Gjithë ky fenomen vjen nga prerja e pyjeve lart nga mali, gërryerja dhe erozioni. Toka ekspozohet kur priten pyjet, e normalisht vjen dhe shkaku i erozionit. Duhet të fillojmë që nga maja me sistemimin e ujërave që të mos kenë fuqi të gërryejnë tokat dhe shtretërit e lumenjve”, tha ai.

3000 fidanë të rinj (akacie dhe plep) do të mbillen në një sipërfaqe prej 2 ha në Elbasan, në një nga zonat ku efekti i erozionit ka shkaktuar dëme serioze në ekonominë dhe infrastrukturën e banorëve të zonës, por jo vetëm, duke i shtrirë efektet edhe përgjatë lumit Shkumbin.

Ripyllëzimi i kësaj sipërfaqe, e cila prej dekadash ka vuajtur shkatërrimin e zonave të gjelbëruara, përmes prerjeve masive dhe zjarrvënieve të qëllimshme, do t’i rikthejë mushkërinë banorëve të Shushicës, si dhe do të rrisë ndjeshëm cilësinë e ajrit, për këto zona, duke e pastruar atë.

Ky projekt i rëndësishëm i ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit parashikon ndër të tjera, sistemimin e shtratit të lumit pranë urës Polis, Valë dhe përgjatë rrjedhës, thellimin e shtratit të lumit, si dhe pastrimin e materialeve inerte të grumbulluara aty.