Rama: FSHF, bashkëpronare e “Arenës Kombëtare”

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, kryeministri Edi Rama foli për ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”.
Sipas kryeministrit, për stadiumin kombëtar të Tiranës nuk do të shpenzohet asnjë lek nga buxheti i shtetit, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë bashkëpronare në kompleksin gjigant që do të ndërtohet, pas shqyrtimit të një sërë projektesh së bashku me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
“Nëse ne do ta ndërtonim së bashku me federatën këtë stadium jo vetëm që do ndërtonim një stadium vetëm për ditë të diele dhe që do vlente vetëm për ndeshjen e kombëtares, por do të na duhej një investim i pamundur për buxhetin. Ndërkohë që sot ne nuk nxjerrim asnjë kokër leku. Federata kalon në investim kontributin e UEFA-s, që me shumë gjasa do të jetë 1/6 e investimit final dhe përkundër këtë kontributi FSHF është bashkëponare e stadiumit”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe të gjithë atyre që mendojnë se stadiumi nuk duhet të ndërtohet qendër të qytetit por në periferi. “Arkitektët e huaj që nga ata që ndërtuan planin thonë është fat që ju mund ta ndërtoni në qytet. Ata që e ndërtojnë në periferi nuk kanë mundësi ta ndërtojnë në qeytet. Stadumi në qytet është komunitet, ndërsa jashtë qytetit janë struktura që funksionojnë vetëm për ditën e ndeshjes”, shprehet Rama.
Advertisement