Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me Kancelaren Angela Merkel, tha se kancelarja gjermane e kupton vështirësinë dhe përpjekjen e Shqipërisë “në rrugën drejt një demokracie europiane”. Rama e falenderoi kancelaren Merkel në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen ndaj vendit në aspiratën për integrim në BE.
Fillimisht në fjalën e tij, Rama i ka shprehur mirënjohjen e tij kancelares Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.
“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë: “Ballkani ka nevojë për Europën po aq sa Europa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.
“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.
Nga ana e saj, kancelarja Merkel ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.
“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.
Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
Më pas, përballë pyetjeve të mediave sa i takon procesit të integrimit dhe afateve të mundshme të tij, kancelarja dhe kryeministri shqiptar kanë dhënë këto përgjigje: “Nuk po përcaktojmë afate të qarta në procesin e integrimit, ajo ku jemi fokusuar është kryerja e reformave. Në reformën në drejtësi janë bërë progrese, por nuk është realizuar tërësisht. KE i kushton rëndësi të plotë kësaj. Ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj, por është një proces që merr vlerësimet gradualisht”.
“Në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha kushtet, përfshirë paketën për reformën në drejtësi. Integrimi është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe për ne. Ato që bëjmë janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit. Kur të kemi plotësuar këto kushte, unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë”, ka thënë Rama.