Qarku i Dibrës stacioni i radhës i “Rilindjes së Qyteteve”

Kryeministrit Rama ishte në Burrel dhe në Bulqizë, në qarkun e Dibrës, ku inspektoi disa projekte infrastrukturore dhe projekte në zbatim në sektorin minerar.

Fillimisht, Kryeministri u ndal në Burrel, ku inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e kompleksit të lojërave. Projekti, një investim me vlerë 68 milionë lekë, do të shërbejë edhe si mjedis çlodhës për të gjitha moshat. Kompleksit do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 9 mijë metra katrorë dhe parashikon rehabilitimin e dy godinave ekzistuese që do të përshtaten si ambiente sportive dhe çlodhjeje, ndërtimin e fushës së minifutbollit, volejbollit, ambiente çlodhjeje të gjelbëruara, lulishte, shatërvan, ndriçim, etj. Kryetarja e Bashkisë së Burrelit Adelina Farici vlerësoi se ky projekt, projekti më i madh për bashkinë e Burrelit, i financuar nga Qeveria, pritet të ketë një impakt shumë të madh pasi nuk është një kënd lojërash, por ambient çlodhës për të gjitha moshat gjatë gjithë muajve të vitit. Një tjetër projekt që po jetësohet në qytetin e Burrelit është edhe ai i rikonstruksionit të fasadave të qytetit. Godina të vjetra dhe me një arkitekturë të veçantë e historike tashmë po dalin në pah, në një prej rrugëve industriale të këtij qyteti. Në Burrel, Kryeministri Rama u ndal edhe në Uzinën e Ferrokromit, e hapur në shtator të këtij viti, në të cilën u takua me drejtues të saj dhe metalurgë. Ashtu siç informuan drejtuesit e saj, Ferrokromi shqiptar zë vendin e parë në botë për nga cilësia dhe kjo është falë cilësive që ka lënda e parë, kromi në këtë rast. “Pas 7 vitesh ndalese, e vumë në gjendje funksionale. Furra u vu në gjendje pune në 4 shtator dhe pati një rezultat më të mirë nga ç‘pritej. Cilësia e ferrokromit ishte nga më të lartat e prodhuara këto vitet e fundit. Kemi miratuar dhe buxhetin për vënien në punë edhe të dy furrave të tjera. Investimi në total, me të tre furrat, shkon në 15 milionë dollarë. Dhe me vënien në punë të të 3 furrave, trefishohet edhe numri i punonjësve” – u shpreh ai. Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi se pas një periudhe të gjatë keqtrajtimi të burimeve natyrore, ka ardhur koha të kalohet në një fazë normale të përpunimit të lëndës së parë. “Të rrisim vlerën e shtuar në vend, të rrisim vlerën e shtuar në ekonomi dhe patjetër të rrisim më shumë mirëqenien, duke përfituar më shumë nga e gjithë kjo pasuri dhe jo duke e lënë këtë pasuri si mall pa Zot, siç ishte deri dje, që ‘o burra’ kush të merrte krom e kush ta nxirrte jashtë për një copë bukë. Kështu që, është e qartë, ky është një investim i rëndësishëm dhe strategjik edhe për të hapur rrugën e përpunimit të plotë të gjithë kësaj pasurie brenda vendit, jo vetëm këtu, por në gjithë territorin e vendit” – theksoi Kryeministri. Kryeministri Rama më pas, i shoqëruar nga Ministri Damian Gjiknuri, vijoi inspektimet në minierën e kromit në Bulqizë, e cila së fundmi po i nënshtrohet zbatimit të një sërë projekteve të rëndësishme, investime me vlerë 25 milion dollarë nga kompania “Albkrom”. Në takimin me drejtues të minierës, Kryeministri u njoh nga afër me projektet konkrete, të cilat janë në investim e sipër dhe që sipas drejtuesve do të hapin një perspektivë të re dhe premtuese për këtë minierë. Ndërhyrja më e rëndësishme është hapja e pusit 600 metrash të thellë, që do të rivitalizojë jo më pak sesa 2.5 milionë ton rezerva, vetëm në thellësi. Krahas tij, është e Qafa e Buallit me një sasi rezervash prej 1.6 milionë tonë. Aktualisht prodhimi vjetor mesatar i kromit është 65 mijë ton dhe me përfundimin e këtyre projekteve pritet të shkojë në jo më pak se 100-120 mijë ton në vit. Ministri Gjiknuri tha se investimet që po konkretizohen dita-ditës janë të prekshme. “Ky ka qenë një partneritet i mirë me koncesionarin, sidomos dhe një kërkesë llogarie nga ana e shtetit, për detyrime të cilat me vite nuk ishin realizuar. Jemi të lumtur që tashmë kemi gjetur gjuhën. Investimet po bëhen konkrete dhe njerëzit po e ndjejnë. Aq më tepër për industrinë përpunuese, e cila është një vlerë e shtuar dhe mbi të gjitha ofron pagesa të mira për të gjithë punonjësit që punojnë në këtë industri” – nënvizoi Gjiknuri. Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Myrfit Duriçi vlerësoi maksimalisht angazhimin e Qeverisë për të bërë realitet premtimet e saj elektorale, për këtë zonë dhe për minatorët, që në vitin e parë të qeverisjes. “Doja ta falënderoja Kryeministrin Rama së bashku me ministrat e tij për mbajtjen e të gjitha premtimeve të bëra në fushatën elektorale; Për uljen e moshës së pensionit; hapjen e thellësisë së pusit dhe premtimin më kryesor, ndërtimi i Rrugës së Arbrit. Kështu që, Kryeministrit, aktualisht, nuk kemi se çfarë i kërkojmë, përderisa të gjitha premtimet e bëra në fushatë i ka mbajtur në një kohë rekord, në një viti e gjysmë në qeverisje”. Investimet që po realizohen janë të rëndësishme për të ardhmen e industrisë së kromit në tërësi. Lagja “Gjeologu” në Bulqizë ishte ndalesa e radhës së Kryeministrit Rama, ku inspektoi punimet për sistemim dhe asfaltimin në bllokun e ndërtesave. Punimet, me vlerë 230 milionë lekë, të cilat në pjesën më të madhe janë realizuar, parashikojnë sistemimin e kanalizimeve, të linjës elektrike dhe shtyllave të ndriçimit, trotuareve përreth pallateve, lulishtet, mbjelljen e pemëve dhe sinjalistikës në rrugë. Duke theksuar nevojën e një investimi të ri, Kryeministri tha se banorët e saj meritojnë një vëmendje maksimale, vëmendje që për gjithë këto vite as që ka ekzistuar. Vetëm kështu ata do të ndihen qytetarë dinjitozë dhe do të marrin atë që meritojnë. Rruga lidhëse mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri në Bulqizë është një tjetër rrugë në të cilën është investuar së fundmi. Projekti prej 13 milionë lekësh i cili parashikon sistemimin, gjelbërimin dhe ndriçimin e saj. Kryeministri Rama duke inspektuar këtë investim u shpreh për më shumë vëmendje ndaj këtyre banorëve, të cilët deri dje ishin lënë në terr dhe varfëri. “Të bëjmë një financim të ri, sepse këta njerëz këtu meritojnë një vëmendje maksimale. Sepse kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë dhe s’kanë pasur pikën e vëmendjes, vetëm banditë që vinin i grabisnin, iknin dhe i linin në terr dhe në varfëri. Të bëjmë investimin e ri për të lidhur të dy zonat, pasi është bërë ky investim i shkëlqyer këtu dhe të ndërtojmë zonën këmbësore, të transformojmë fasadat, me ndriçim, që të ndjehen më në fund qytetarë dinjitozë, të respektuar dhe të nderuar. Do ta bëjmë këtë me shpejtësi” – siguroi Kryeministri. Kryeministri Rama u ndal edhe në Gjimnazin e Bulqizës, i rikonstruktuar, me mjedise e klasa moderne dhe kabinete bashkëkohore.

Advertisement