Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar largimin e 755 diplomatëve amerikanë nga vendi, si shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të reja mbi Moskën. Vendimi për të dëbuar stafin diplomatik është marrë të premten, por Putin ka konfirmuar vetëm tani shifrën e diplomatëve që duhet të lënë Rusinë deri më 1 shtator. Kjo e çon stafin diplomatik amerikan në Rusi në 455 vetë, numër i njëjtë me atë rus në Uashington. Ky mendohet se është dëbimi më i madh i diplomatëve i bërë nga çdo vend në historinë moderne.
Numri përfshin edhe punonjësit rusë të misioneve diplomatike amerikane në Rusi. Stafi në Ambasadën e Moskës dhe në konsullatat në Ekaterinburg, Vladivostok dhe Shën Pjetërburg reduktohet po ashtu. Shtetet e Bashkuara ndërkohë thanë se lëvizja ishte një akt për të ardhur keq.
“Ne po vlerësojmë pasojat e një kufizimi të tillë dhe po vlerësojmë gjithashtu kundërpërgjigjen”, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Putin, ndërkohë, ka nënshkruar një letër me tone pajtuese, ku thoshte se nuk donte të ndërmerrte masa të tilla, por edhe nënvizonte se nuk mendonte që situata do të ndryshonte në planin afatshkurtër.
“Më shumë se 1.000 vetë punojnë në Ambasadën dhe konsullatat amerikane, e 755 duhet të ndalin aktivitetet e tyre në Rusi”, tha Putin në televizionin shtetëror.
Rusia ka thënë se do të konfiskojë edhe rezidencat e pushimeve dhe një ambjent tjetër të përdorur nga diplomatët amerikanë. Putin sugjeroi se ai mund të merrte në konsideratë edhe masa të tjera, por tha se për momentin nuk do ta bënte këtë.
Sanksionet e reja amerikane, ishin pjesërisht reagim ndaj konkluzionit të agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ishte përzierë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, por edhe një dënim shtesë për Moskën për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.