Në skenë u puthën Sandra Bullock me Scarlett Johansson, Robert Pattinson dhe Kristen Stewart e në fund fare Russell Brand dhe Jonah Hill. Këtë vit spektakli u prezantua nga aktori Aziz Ansari me plot momente humoristike, skeçe e ironi. Sigurisht që nuk munguan as momentet muzikore ku Christina Aguilera prezantoi singëllin e saj të ri NOT MYSELF TONIGHT dhe Katy Perry këndoi CALIFORNIA GURLS. Në këtë eveniment filmi NEW MOON triumfoi duke marrë 5 trofe në kategoritë: Filmi më i mirë, Protagonistja më e mirë, Protagonisti më i mirë, Super Ylli botëror dhe Puthja më e mirë. Sandra Bullock në shfaqjen e parë të saj publike që prej skandalit të tradhëtisë së bashkëshortit, u nderua me çmimin MTV Generation Award, për 20 vitet e saj në botën e spektaklit. Aktorja fituese e çmimit Oscar, u prit me ovacione e përfitoi nga rasti të përgënjeshtronte zërat se do të largohej nga skena. “Do të qëndroj, sepse paçka asaj që keni parë apo lexuar së fundmi e dashuroj atë që bëj. Nuk do shkoj asgjëkundi. Tani që kam bërë gjithçka mund t’i rikthehem normalitetit? Jo për gjë por psikologu është vërtetë i shtrenjtë”,- ka thënë me ironi Sandra Bullock. Në ceremoninë e MTV Movie Awards ka pasur edhe fitues të tjerë, përmendim Anna Kendrick, Zach Galifianakis, Ken Jeong, Beyonce Knowles dhe Ali Later, Amanda Seyfried.

Advertisement