12 prilli shënon afatin e fundit ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në KQZ.
Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së u pranua kërkesa e Partisë Socialiste për regjistrim në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, ndërsa ende nuk janë regjistruar LSI, PD apo dhe PDIU. Sipas përfaqësuesve të administratës zgjedhore, pas shqyrtimit, KQZ e gjeti në përputhje me ligjin dokumentacionin përkatës të depozituar nga PS, duke vendosur regjistrimin e saj si subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet e ardhshme.
Në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja vendosi të regjistrojë edhe katër parti të vogla, joparlamentare, që do të konkurrojnë në procesin e ardhshëm elektoral. Kështu, me votat e gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje, KQZ regjistroi Partinë Shqiptare Atdheu, me kryetar Kreshnik Osmani dhe shkronja nistore PSHA; Partinë Demokratike të Bashkimit Mysliman Shqiptar, me kryetar Osman Mema dhe shkronja nistore PDBMSH; Partinë e Unitetit Kombëtar, me kryetar Idajet Beqiri dhe shkronja nistore PUK dhe Partinë Bashkimi Demokrat Shqiptar, me kryetar Ylber Valteri dhe shkronja nistore PBD.
Ndërkohë që palët janë ende në negociata, sidomos Partia Demokratike që ende nuk ka vendosur se me cilin aleat do shkojë në zgjedhje, në mbledhjen e sotme KQZ-ja do të regjistrojë Partinë Republikane të Fatmir Mediut.
Gjithashtu, një tjetër regjistrim i rëndësishëm është ai i Partisë Kristiandemokrate, kryetari i së cilës, Mark Frroku, gjendet i izoluar prej një jave në masën e arrestit me burg, si autor i dyshuar për një vrasje në bashkëpunim të ndodhur në Belgjikë, 16 vjet më parë.
Po ashtu, sot pritet të regjistrohen edhe 6 parti të tjera: Partia e Çështjeve Shqiptare; Partia e Mendimit të Djathtë Liberal; Partia Socialdemokrate e Shqipërisë; Partia G 99; Partia Socialiste e Vërtetë 91; dhe Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori. Kodi Zgjedhorui ka lënë kohë koalicioneve për regjistrim deri në 21 prill.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, u rikujtoi partive politike mbrëmjen e djeshme se 9 prilli është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve të KZAZ-ve, ndërsa 14 prilli është afati i fundit për regjistrimin e partive politike. Po sipas saj, regjistrimi i komiteteve nismëtare për të pavarurit ka afat deri në 18 prill. “Gjithashtu, përmes kësaj deklarate publike ju bëjmë thirrje kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore që t’i sjellin menjëherë pranë KQZ-së propozimet e tyre për ambientet ku do të vendosen zyrat e KZAZ-ve, pasi afati i miratuar nga KQZ për konstituimin e KZAZ-ve është data 14 prill”, tha zëdhënësja e KQZ-së, në deklaratën e saj për mediat.