Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)ku i kërkojnë shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Në një letër drejtuar KQZ-së, nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruci dhe Luan Rama, thuhet se “Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin”.
Në këtë kontekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e aq më pak nga KQZ, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore.
Sipas PS dhe LSI tejkalimi i afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor me disa ditë, nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese dhe nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës.
Dita e sotme shënon afatin e fundit ligjor për regjistrimin në KQZ të koalicioneve zgjedhore qe do konkurojnë në zgjedhjet e 18 qershorit.