Partia Socialiste hedh hapin e parë në përzgjedhjen e kandidaturës që do të garojë për Bashkinë e Tiranës.Asambleja Socialiste e Tiranës, e mbledhur të enjten pasdite ka propozuar katër emra, mes të cilëve do të dalë edhe kandidatura finale për kryeqytetin, që do të përfaqësojë mazhorancën në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe që u drejtua nga kryetari i degës për Tiranën, Saimir Tahiri, ishte i pranishëm dhe Kryeministri Rama.
Katër emrat që u propozuan dhe që morën edhe pëlqimin e Kryeministrit janë dy gra dhe dy burra. Lindita Nikolla, Albana Dhimitri, Blendi Klosi dhe Pandeli Pajko.
Lindita Nikolla aktualisht mban postin e Ministres së Arsimit dhe vjen nga një përvojë disa vjeçare në pushtetin lokal. Për dy mandate rresht në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013 ajo është zgjedhur në postin e Kryetares së Minibashkisë Numër 1 në Tiranë.
Kandidatura suprizë që nuk vjen nga radhët e politikës dhe që flitet se ka mbështetjen e fortë të Kryeministrit Rama është ajo e Albana Dhimitrit, ish- Nënkryetare së Bashkisë së Tiranës në periudhën që kjo Bashki drejtohej nga Rama.
Dhimitri ka mbaruar studimet në Fakultetin e Ekonomisë në kryeqytet dhe më vonë ka marrë gradën master për ‘Administrim Publik’.
Dy emrat e tjera që janë propozuar dhe që janë lakuar edhe në media, janë emra të njohur të Partisë Socialiste. Pandeli Majko, Deputet për disa legjislatura, ish-Ministër dhe ish-Kryeministër gjatë krizës së Kosovës. Dhe Blendi Klosi, i zgjedhur Deputet për tri legjislatura radhazi dhe me disa poste në qeveri, ku më i rëndësishi ka qenë ai i Ministrit të Kulturës.
Por pavarësisht se këto propozime do të testohen në sondazhe dhe anketime të brendshme të selisë rozë, vendimi i takon Kryeministrit Rama dhe ai më parë duhet të marrë miratimin e aleatëve të LSI, për çdo kandidat të përzgjedhur, çka le të hapur përfshirjen e të tjerë emrave në garën për kryeqytetit.
Vetë Kryeministri Rama këtë fundjavë, pas marrëveshjes për ndarjen e zonave zgjedhore me Lëvizjen Socialiste për Integrim, la të hapur mundësinë e kandidimit të një gruaje për Bashkinë e Tiranës.