Seanca e posaçme e Kuvendit për projektligjin e arsimit të lartë nisi me fjalën e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla.
Pasi renditi një sërë shkeljesh të gjetura kur mori detyrën në krye të institucionit që drejton, Nikolla tha se ka një mundësi mes mazhorancës dhe opozitës që ta miratojnë me konsensus këtë projektligj. Sipas saj, drafti i dorëzuar në Kuvend për miratim është produkt i një procesi të gjatë dhe gjithpërfshirës, ku dy kahet e politikës nuk u përfshinë.
“Është një ndër reformat e vetme ku as mazhoranca dhe as opozita nuk kanë ndërhyrë në punën e komisionit”, tha Nikolla.
Por projektligji has në kundërshtimin e një grupi pedagogësh dhe studentësh, që sipas ministres Nikolla po shantazhojnë Kuvendin më kot.
“Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”, deklaroi Nikolla.
Më tej ministrja e Arsimit u ndal te disa pika të ligjit, që nga e drejta e studimit, që tha se u garantohet të gjithë të rinjve që dëshirojnë të ndjekin studimet e lartë, puna akademike dhe çështja e financimit.
Mazhoranca ka paralajmëruar mbështetjen e këtij projektligji, ndërkohë që opozita ka shfaqur qëndrimin e saj kategorik kundër vetëm dy ditët e fundit.