Komisioni Parlamentar i Ekonomisë shqyrtoi projektligjin e ri që synon të rrisë edhe më tej sigurinë e sistemit bankar në vend përmes instrumenteve që i paraprijnë situatave të jashtëzakonshme.

Krahas procedurave të reja të manaxhimit dhe ndërhyrjes në raste të jashtëzakonshme, projektligji parashikon detyrimin që çdo bankë të hartojë planet e rimëkëmbjes si dhe të kontribuojë periodikisht në për krijimin e një fondi që do të mund të përdoret në rast rreziku.

Advertisement

Ministri i financave Arben Ahmetaj, i pranishëm komision tha se qëllimi kryesor do të jetë shmangja e rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin financiar dhe se ky ligj synon mbrojtjen e depozituesve.

“Ky ligj, i cili ka marrë formë që në vitin 2012, është hartuar për të garantuar ndërhyrjen në banka, në rast se do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme”, tha Ahmetaj.

Ish ministri i Financave Ridvan Bode shfaqi rezerva për faktin se sistemit bankar i shtohen kostot ekstra në kushte kur nuk ka domosdoshmëri e në kushtet kur pritshmëritë janë që sistemit bankar të asistohet për të mbështetur dhe më tej ekonominë.

Zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj u shpreh se niveli i stresit financiar në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe duhet të sigurohemi se korniza ligjore për raste të tilla është e plotë.

Ligji, tha zëvendësguvernatorja, vendos për autoritetin që do të angazhohet për procesin e rimëkëmbjes dhe të likuidimit, që do të jetë Banka e Shqipërisë, si dhe për formatimin e instrumenteve që do të përdoren

Projektligji vjen si rrjedhojë e direktivës së Komisionit Europian të vitit 2014 pas krizës që përfshiu vendet e Bashkimit Europian para pak vitesh. Në thelb, në projektligjin e ri synohet vendosja në dispozicion të Bankës së Shqipërisë e një tërësie instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë të hershme kur ka probleme.