Princi Harry deklaron se vëllai i tij, princi William, “e shtriu përtokë” pas një grindjeje për Meghan Markle.
Për akuzat e bujshme që pritet të tronditin familjen mbretërore, Harry flet në librin e tij të ardhshëm “Spare”, ku thotë se princi i Uellsit e quajti Meghanin ‘të vrazhdë’ dhe ‘të vështirë’ gjatë një grindjeje.
Në një fragment të librit të transmetuar nga The Guardian, princi Harry pretendon se William “më kapi për jakë, më këputi zinxhirin dhe… më rrëzoi në dysheme”.
Duka i Sussexit pretendon se ai mbeti me një dëmtim të dukshëm në shpinë pas zënkës që patën në Nottingham Cottage në vitin 2019, në territorin e Kensington Palace, ku ai jetonte në atë kohë.
Në shkrimet e tij, Harry thotë se Williami ishte veçmë ‘i nevrikosur’ kur mbërriti duke dashur të fliste për marrëdhëniet e tyre të përkeqësuara.
Sipas 38-vjeçarit, debati u kthye në të bërtitura pasi William u ankua për gruan e tij, Meghan, duke e quajtur atë të pasjellshme dhe të ashpër.
Pasi vëllai i madh këmbënguli se po përpiqej t’i ndihmonte, duka i Sussexit iu përgjigj: “Me të vërtetë e ke? Të më ndihmosh? Më fal – kështu e quan këtë? Po më ndihmon?”.
Harry pretendon se më pas i dha Williamit një gotë me ujë dhe i tha: “Willy, nuk mund të flas me ty kur je kështu”. Më pas ai thotë se vëllai i tij e quajti atë me një emër tjetër dhe iu afrua: “Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Ai më kapi nga jaka, duke më këputur zinxhirin dhe më rrëzoi në dysheme. Rashë në tasin e qenit, i cili u thye nën shpinën time dhe copat më prenë. U shtriva për një moment, i trullosur, pastaj u ngrita në këmbë dhe i thashë të dilte jashtë”.
Ai thotë se William i tha që ta godiste mbrapsht, por ai refuzoi dhe kështu vëllai i tij u largua “duke u penduar dhe i kërkoi falje”. Sipas Harryt, 40-vjeçari më pas i tha që të mos i tregonte Meghanit për ballafaqimin.
Harry thotë se ai u përgjigj: “Do të thuash që më sulmove?”, për të cilën ai pretendon se William u përgjigj: “Unë nuk të sulmova, Harold”.
Princi ka rrëfyer se nuk i kishte treguar menjëherë gruas së tij derisa ajo vuri re gërvishtje dhe mavijosje në shpinën e tij. Ekstrakti i librit të Harryt është botuar nga The Guardian. Është e paqartë se si ata morën një kopje të hershme.
Ajo vjen pasi The Sun zbuloi se libri do ta çojë luftën e tij me vëllanë në një nivel tjetër. Biografia e Harryt, “Spare” – pritet të zbulojë më shumë se seriali i tij në Netflix. Libri shpërthyes që do të publikohet më 10 janar do të japë një përshkrim të detajuar goditje pas goditjeje të rënies së tyre.