Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka organizuar mbëmjen e së hënës një pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Në fjalën e tij Nishani u shpreh se, “Rruga e gjatë në histori mes luftarash, rreziqesh kryengritjesh, mes kujtimit të mijëra dëshmorëve dhe gjakut të derdhur, rilindja e vërtetë shqiptare, mbërriti në apogjeun e vet. Si kurrë më parë e shkuara dhe e ardhmja, gegë dhe toskë, të gjallë dhe të vdekur, ishin pranë njëri-tjetrit në një ditë të shenjtë rreth Ismail Qemal bej Vlorës. Nder përjetë atit themelues. Nder përjetë rilindasve të mëdhenj të Kombit. Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasin qe kurse zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane”.

Advertisement

“Do të na mbetet peng në ndërgjegje nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje ndaj Vilhem Vidit, princit evropian të shqiptarëve. Po ashtu, do të mbeteshim peng të historisë ideologjizuar komuniste nëse nuk e kthejmë edhe formalisht mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shteformues e konsolidues të tij, atdhetar e politikan të klasit të lartë në panteonin e vlerave të ndritura kombit. Nderë përjetë kujtimit të tyre”, tha Nishani.

“Kanë kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të cilën reflekotohen të gjitha virtytet dhe cenet tona. Qëndresa dhe fataliteti, liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe anti-komunizmi, pluralizmi dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi. Gjatë fundit të kësaj periudhe problemet e shqiptarëve në Ballkan kanë gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe dhe stabilitet rajonit””, tha Nishani.

Presidenti Nishani u shpreh se, “fjala e lirë është arritja jonë më e madhe dhe duhet ta ruajmë atë me çdo çmim”.

Presidenti theksoi se kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje që kanë treguar se ende nuk jemi larguar plotësisht nga e shkuara e errët komuniste.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Nishani u bëri theirrje forcave poltike që të bëjne reformën zgjedhore, pasi shtoi ai, e kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpreh besimin tim se institucionet shqiptare do të dijnë të ngrihen në lartësinë e sfidave që i presin.