Planet zhvillimore, Qeveria hap garën për projektet e 31 bashkive të vendit

Studio vendase dhe ndërkombëtare lidhën kontratat me synim projektimin e planifikimit në nivelit vendor për vendbanime dhe komunitete të qëndrueshme me 31 bashkitë e vendit.

26 prej projekteve financohen nga qeveria shqiptare dhe 5 nga USAID. Kryeministri Edi Rama e quajti këtë një angazhim të rëndësishëm nga më sfiduesit, por të vonuar për një çerek shekulli.

Advertisement

Duke e çmuar territorin si asetin më të çmuar të vendit, Rama foli për  rëndësinë që merr  edhe plani i përgjithshëm kombëtar.

“Plani përgjithshëm kombëtar duhet të ecë paralelisht me këto plane të pjesshme që janë në të njëjtën kohë pjesë e planit të përgjithshëm kombëtar. Nga ana tjetër është me shumë rëndësi që edhe këto plane të pjesshme të kenë një rol udhëzues në funksion të politikave kombëtare lidhur me investimet strategjike”, tha Rama.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, tha se kemi filluar punën për ngritjen e  sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, i cili do të jetë pjesë e portalit  e – Albania.

“Ky sistem do t’ju vijë në ndihmë të gjitha institucioneve të përfshira në proces, duke lehtësuar ndërveprimin institucional, si dhe duke shkurtuar afatet për pajisje me leje ndërtimi dhe rritur transparencën ndaj qytetarëve”, tha znj. Gjermeni.