“Përrallë” skualifikohet nga Eurovision

Ka përfunduar gjysmëfinalja e dytë e Eurovizionit me një lajm jo të mirë për Shqipërinë. Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” (Përrallë) nuk ka mundur të kualifikohet në finale. Eneda konkurroi e 17-a në garë, e veshur me një fustan ngjyrë floriri, me bisht të gjerë, për të dhënë imazhin e një vajze brenda një përralle. Pamja e saj në disa media të huaja është cilësuar edhe si “trofeu i Oscar” në Eurovizion. Këngëtarja realizoi një performancë mjaft të mirë vokale dhe interpretative, duke treguar siguri dhe nuk pati probleme teknike gjatë këngës. Mirëpo, edhe pse gjithçka shkoi mirë me “Fairytale” në natën gjysmëfinale, duket se votat për këngën shqiptare nga publiku nuk kanë qenë të mjatueshme për t’u kualifikuar për në finale. Gjysmëfinalja e dytë në tërësi, ishte një mbërmje e organizuar mirë dhe këngët konkurruese kishin veçanti nga njëra-tjetra. Edhe pse të gjithë jemi në dijeni të votimit më tepër gjeopolitik sesa në bazë të meritokracisë, sërish objektivi kryesor i këtij festivali është të promovojë artistë dhe këngë të bukura. Me siguri edhe Eneda Tarifa, edhe pse ndaloi rrugëtimin e saj në gjysmëfinale, ka fituar edhe promovimin, edhe vlerësimin nga një publik më i gjerë se ai shqiptar.

Advertisement