Pas rritjes së temperaturave gjatë dy ditëve të fundit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njofton se rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet në shumicën e zonave, edhe pa zinxhirë.
Në rajonin verior, Shkodër, sipas MTI-së, ka përmirësim në qarkullimin e mjeteve në pothuaj të gjitha akset. Ndërsa për shumicën e akseve në qarqet e Dibrës dhe Kukësit sot raportohet se qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë ose pjesërisht pa zinxhirë. Në të gjitha akset mjetet dhe punëtorët janë në gadishmëri për pastrimin e akseve dhe hedhjen e kripës.
Edhe në rajonin qëndror, Tiranë, MTI thotë se ka përmirësim të qarkullimit në të gjitha akset. Vetëm segmenti Qafë Mollë – Bizë dhe Vilat qeveritare – Antenat, qarkullohen me zinxhirë. Me kujdes duhet qarkulluar edhe në drejtim të Krrabës, e Sarisalltikut.
Në rajonin jugor, Gjirokastër, në qarkun e Korçës qarkullohen me zinxhirë vetëm tre akse, Boboshticë – Dardhë, Korçë – Voskopojë dhe Ersekë – Leskovik. Në Gjirokastër, ka disa segmente me zinxhirë, si Përmet – Çarshovë dhe Erind – Çajup. Në Vlorë, qarkullimi në Llogora kryhet pa zinxhirë.