Emergjenca e motit ka mbaruar dhe tashmë situata ka hyrë në fazën e dytë, në atë të reagimit ndaj pasojave.
Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile, kryeministri Edi Rama tha mes të tjerash se përparësi do të ketë dhe nisma ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet.
Duke raportuar në mbledhje përfaqësues të Emergjencave Civile thanë se karakteristikë e fenomenit të përmbytjeve të këtij viti ishte dëmtimi i shumë urave, krahasuar me herët e tjera, duke thënë se ujërat kanë pasur volum dhe shpejtësi të mëdha. Aktualisht në gjithë vendin janë 65 ura të dëmtuara.
“Të dëmtuar shumë ura në krahasim me herët e mërpashme, ka patur volum e shpejtësi të mëdha, 65 ura të dëmtuara. E paraqesim për të thënë se është e rëndësishme në fazën që do të hyjmë. Argjinaturat, digat, kanalet kulluese mbeten ende problem”,- tha Sandër Lleshi.