Edhe pse në mesin e muajit gusht mbrëmja e djeshme ka sjellë rreshje të dendura shiu në disa qytete të vendit. Në Vlorë ngjante me një natë të ashpër dimri.
Një stuhi e fuqishme me reshje shiu ka nisur rreth orës 19.00 duke përmbytrur lagje të tëra, si dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Në disa lagje pati edhe përmbytje në katet e para të disa objekteve.
Në 40 minuta kanë rënë 50 milimetra shi. Një sasi e pazakontë për këtë qytet. Në disa prej rrugëve kryesore dhe periferike të qytetit ka qënë e pamundur të kalohet. Qarkullimi i mjeteve u bllokua për afro një orë.
Ndërsa në qytetin e Lezhës në harkun kohor të 8 orëve, blloku i pallateve 11 janari në lagjen Besëlidhja është përmbytur 2 herë duke krijuar jo pak probleme për banorët. Me të tilla situata është përballur një pjesë e mirë e qytetit të Lezhës, duke bërë që lëvizja e qytetarëve të bëhet vetëm nëpërmjet ujit.
Veç bllokimit të rrugëve ka patur edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesë e ujit të pishëm.
Përmbytjet nisën rreth mesnatës për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve ndërsa është përsëritur serish rreth orës 9 pas rikthimit të rreshjeve.
Ndërprerja e energjisë elektrike ka prekur edhe Shengjinin ç’ka e ka bërë të pamundur vendosjen në punë të pompave për thithjen e ujit.