Përmbytje në vend

Përmbytjet e shkaktuara mbrëmë nga reshjet e rrëmbyeshme në mbarë vendin, i kanë marrë jetën një 62-vjeçari në Laç, ndërkohë që është zhdukur vajza e tij, e cila mendohet se ka qenë bashkë me të. Reshjet e dendura të shiut në orët e natës kanë shkaktuar përmbytje edhe në Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që burime nga Lezha saktësojnë se niveli i ujit ka arritur në 30-40 centimetra. Madje, një familje me gjashtë anëtarë në lagjen “Kodër Mulliri” është evakuuar, për shkak se shtëpia është mbushur me ujë dhe është bërë e pabanueshme.

Viktimat në Laç

Advertisement

Por situata është paraqitur më e rëndë në qytetin e Laçit, ku mësohet se nga përmbytjet ka humbur jetën Gjon Kola, 62 vjeç dhe është zhdukur vajza e tij. Sipas të dhënave paraprake, 62-vjeçari Kola, ish-drejtor i shkollë së mesme “Atë Shtjefën Gjeçovi”, kishte lënë makinën e tij pranë një banke në qytetin e Laçit. Rreth orës 21:00, ai ka dalë nga shtëpia për të larguar makinën, pasi uji ka dalë nga shtrati i një kanali që kalon në mes të qytetit dhe fuqia e rrjedhës po lëvizte mjetet nga vendi. Kështu, Kola ka hipur në makinën e tij, ku mendohet se ka qenë bashkë me të bijën dhe ka nisur të largohet, me qëllim për të shpëtuar makinën. Por, sipas dëshmitarëve, mendohet se makina e tij është përmbysur në një kanal dhe babë e bijë kanë mbetur brenda. Është dashur më shumë se një orë që në vendin e ngjarjes të shkojnë forcat policore, duke bërë të mundur nxjerrjen e makinës nga uji. Në mjet mësohet se është gjetur vetëm 62-vjeçari, ndërkohë që për vajzën e tij nuk ka pasur asnjë informacion, kështu që janë ngritur dyshimet se ajo mund të jetë marrë nga rrjedha. Kërkimet mësohet se kanë vijuar gjatë gjithë natës.

Përmbytjet në Lezhë

Situata problematike mësohet se është paraqitur edhe në disa lagje të Lezhës dhe përreth saj, për shkak të reshjeve të shumta. Veç “betejës” me ujin, banorëve të Lezhës u është shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike, e cila mësohet se është ndërprerë nga OSHEE-ja prej frikës së ndonjë shpërthimi në nënstacion. Situata më problematike është paraqitur në lagjen “Besëlidhja”, ndërkohë që drejt kësaj zone janë nisur disa forca policore dhe ushtarake. Përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA-së, thanë se drejt Lezhës janë nisur mbi 80 trupa, mbi 10 mijë thasë rërë, ekskavatorë, zjarrfikës, fadroma, pompa uji etj. “Do të ndërhyhet te nënstacioni dhe njëkohësisht do të nisë vendosja e thasëve me rërë për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset. Në Lezhë ndodhen drejtues të lartë të MM dhe FA dhe po ndjekin nga afër situatën”, u tha zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes. Kurse OSHEE-ja bën me dije se nënstacioni në Lezhë nuk ka pësuar asnjë defekt, por është stakuar, për shkak të përmbytjeve. OSHEE-ja thekson se nëse ky nënstacion nuk stakohej, rrezikonte shpërthimin nga përmbytja. OSHEE-ja bën me dije se ka vendosur në gatishmëri të plotë të gjitha grupet e specialistëve. Sipas OSHEE-së, niveli i ujit në nënstacionin e Lezhës është mbi atë të lejuar.

Panariti jep alarmin

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, deklaroi nga Lezha, se reshjet e shiut vazhdojnë të jenë të dendura dhe niveli i ujit ka arritur në gjysmë metër. Në një lidhje telefonike nga qyteti i Lezhës, ministri bëri me dije se forcat zjarrfikëse po punojnë për të nxjerrë ujin nga nënstacioni dhe hidrovorët janë në punë. Ministri deklaroi se ka biseduar me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe ministren e Mbrojtjes për t’u përgatitur për një situatë emergjence nëse do u duhet të evakuojnë banorë. “Shiu po vazhdon, edhe dita e nesërme do të jetë me reshje, ndaj duhet të përgatitemi për të përballuar situata të jashtëzakonshme. Kam biseduar me kreun e Kuvendit, ministren e Mbrojtjes dhe Kryeministrin për t’u përgatitur për situatë të jashtëzakonshme nëse do të na duhet të evakuojmë banorët. Ka zjarrfikëse që po bëjnë pompimin e ujit jashtë nënstacionit, që të mos dëmtohet ky nënstacion”, u shpreh Panariti.

Mbytet edhe Tirana

Veç Qarkut të Lezhës mësohet se probleme janë shfaqur edhe në Tiranë. Niveli i ujit në rrugë ka arritur në disa centimetra, çfarë ka sjellë edhe probleme në qarkullimin e automjeteve. Lumi i Lanës ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rrugë, banesa e biznese. Ndërkohë që reshjet kanë vijuar me intensitet të lartë, problemet kryesore janë në Rrugën e Kavajës dhe rrugën “Bardhyl”. Probleme ka pasur edhe te Tirana e Re, Shkolla e Bashkuar, “Don Bosko” dhe te Komuna e Parisit. Rruga është bllokuar edhe te dy urat në zonën e Shkozës. Bashkia e kryeqytetit bëri me dije se si pasojë e daljes nga shtrati të lumit të Lanës, niveli i ujit në rrugë ka arritur në 50 centimetra. Bashkia sqaron se 450 punonjës po monitorojnë situatën. Situata në kryeqytet duket se është përmirësuar disi pas pushimit të reshjeve rreth orës 22:50. Shtabi i emergjencave të bashkisë bën me dije se po monitorohet situata në zona të ndryshme.

Burimi: Gazeta Shqip