Vijnë lajme të këqia për shëndetin e Michael Schumacher. Informacionin e jep e përditshmja amerikane “News Every Day” e cila citon një neurokirurg anonim që ka informacione rreth kampionit gjerman. Sipas tij jeta e Schumacher është “në fije të perit”. Pavarësisht kësaj, informacioni i marrë nuk përputhet me deklaratat e menaxheres së ish-pilotit të Formula 1, Sabine Khem, e cila vetëm para pak ditësh u shpreh: “E dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur dhe është një gjë që nuk mund ta ndryshojmë. Mund vetëm të shpresojmë që duke qenë të duruar dhe me mbështetjen e vazhdueshme të të gjithëve, një ditë Michael të jetë këtu me ne!” Kujtojmë se 7 herë kampioni i botës u rrëzua teksa bënte ski në pistën franceze në Meribel, më 29 dhjetor të vitit 2013. Rrëzimi i shkaktoi një traumë të fortë në kokë dhe hemoragji cerebrale, që ende sot e mbajnë atë detyrimisht në gjendjen e komës farmaceutike.
Përflitet se shuma totale e shpenzuar deri më sot për kurimin e tij i ka kaluar 16 milionë eurot.