Festivali i përvitshëm i muzikës, “Kënga Magjike” do të rikthehet në ekran pranverën e këtij viti, pas një shkëputje më të gjatë se çdo edicion tjetër. Sipas Ardit Gjebreas, drejtuesit të eventit muzikor, prezantimi i projekteve të artistëve do të nisë si gjithmonë tek e “Diela Shqiptare” në datën 21 mars dhe do të përfundojë me finalen në 29 maj.
Megjithatë duket se koha e zhvillimit të festivalit nuk do të jetë e vetmja risi e këtij viti, teksa Gjebrea ka bërë me dije ditën e sotme se gjatë kësaj “Kënge Magjike” do të shpërndahen çmime për të gjithë artistët.
Nisur nga fakti që këngëtarët janë prej kohësh pa aktivitete, gjë që nuk i ka penguar që të intersohen për festivalin dhe të zhvillojnë dashurinë e tyre oër këngën, Arditi thotë se përveç çmimit të madh që merr fituesi prej 500.000 lekësh, do t’i jepen finalistëve nga 200.000 lekë secilit.
Një gjest solidariteti ky me artistët sipas Gjebreas, që ende mbajnë në këmbë magjinë e këngës shqipe.