Në fund të vitit 2018 borxhet e akumuluara në tatime në formën e sigurimeve shoqërorë të papaguara arritën në 13.8 miliardë lekë ose 108 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet këto detyrime u zgjeruan me 20 milionë euro gjatë 2018 ose me 18%.
Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre bllokohen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut.
Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar” pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin.
Ekspertët të ISSH pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mospagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.
Ndryshimet që janë bërë në ligjin e proceduarve tatimore lejojnë pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të bizneseve. Por kjo praktikë nuk vlen për pagesën e borxheve të sigurimeve shoqërore.
“Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi. Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore.
Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat arriti në 107.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018, nga 95.5 mld lek që ishte në fillim të vitit.
Krahasuar me fundin e vitit 2017, gjatë 2018 detyrimet e TAP kanë qëndruar në të njëjtin nivel, ndërkohë që TVSH është rritur me 4.7 mld lekë, Tatim Fitimi me 3.4 mld lekë, Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore me 2.6 mld lekë dhe zëri të tjera me 1.4 mld lek..
Në stokun e borxhit të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe me 37%, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28%, zëri Të Tjera me 21%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 13% dhe TAP me 1%.
/Monitor/