PD: Tahiri i lidhur me bandat. Krimi ka kapur shtetin

Partia Demokratike, përmes shefit të departamentit të saj të sigurisë, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se gazeta italiane “Corriere della Sera” është media e radhës që denoncon se ministri i Brendshëm shqiptar gjendet nën akuzë për lidhje me bandat më të rrezikshme të drogës në vend.

“Shtypi më serioz në Itali dhe në Europë ekspozon të vërtetën tronditëse: se në Shqipëri sundon mafia e lidhur me qeverinë. Se narkobandat drejtojnë bashkë me Saimir Tahirin. Se mafia e lidhur me ministrin e Brendshëm eliminon oficerët që guxojnë të flasin, që guxojnë të luftojnë trafikun e drogës”, ka deklaruar Alibeaj.

Advertisement

Sipas tij, Shqipëria është në gjendjen më të rëndë kriminale në 25 vite, “sepse krimi ka kapur shtetin dhe sepse interesat e krimit sundojnë vendin”.

“Akuzat, provat dhe dëshmitë e pakontestueshme, të gjitha të çojnë tek Tahiri i Habilajve dhe Shullazëve me shokë. Tek Tahiri me kushërinjtë Habilaj që vëzhgoheshin nga policia dhe oficeri i lartë Zagani, i cili gjendet sot i kërcënuar me jetë. Tek Tahiri që i ka dorëzuar pikat kyçe si shefin e kufirit të Dhërmiut aty ku paketohet droga e bëhet gati për Itali, në shërbim të bandave. Tek Tahiri që makinën personale e të paprekshme e ka vënë si narkotaksi në shërbim të bandës së Habiljave”, ka vijuar Alibeaj.

Ai është shprehur se, kurrë më parë një ministër i Brendshëm shqiptar nuk është gjendur nën akuza kaq të rënda dhe me fakte të pakundërshtueshme si “kumbar dhe mbrojtës i trafikut të drogës”.

“Por e gjithë kjo e bën krenar Edi Ramën. Kryeministrin më të korruptuar në Ballkan, njeriun e përfolur si bashkëpunëtor i hershëm i bandave të drogës të cilave u dha tregun e ndërtimeve të Tiranës si kryebashkiak e për të cilin raporti i punës së OSBE thotë se ka një pasuri prej 200 milionë eurosh”, ka shtuar Alibeaj.

Ai ka shtuar se, “trupa e policisë që lufton krimin, oficerët, burrat dhe gratë në uniformë janë të tradhtuar e kokëulur, ndërsa qytetarët janë të pasigurtë, të mëpërkëmbur dhe të poshtëruar”.

“Ka vetëm një rrugë. Largimi i narkoministrit Tahiri dhe shefit të tij protektor që refuzon testin e drogës”, ka shtuar Alibeaj.