Klosi: Kushtet e sigurisë në punë, të rëndësishme për bizneset dhe punonjësit

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i është bashkuar sot fushatës mbarë europiane lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Në kuadër të kësaj fushate, ministri Blendi Klosi, i shoqëruar edhe nga drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli dhe përfaqësues të sipërmarrjes, ka inspektuar sot kushtet e sigurisë në punë të një prej bizneseve më të rëndësishme që vepron në zonën industriale përgjatë segmentit të autostradës Tiranë-Durrës.

Advertisement

Klosi ka parë nga afër kushtet që ofronte ky biznes sa i përket mbrojtjes së interesave të punëmarrësve, si dhe ka biseduar nga afër me sipërmarrësit, por edhe me punëtorët e kësaj fabrike.

Në fjalën e tij, ministri ka theksuar rëndësinë që ka jo vetëm për punëtorët, por edhe për vetë punëmarrësit garantimi i standardeve të kërkuara të sigurisë.

Sipas tij, kostoja e krijimit të këtyre kushteve dhe standardeve është më e vogël sesa kostoja që do të duhet për të përballuar shpenzimet për çdo aksident që mund të ndodhë si pasojë e mungesës së këtyre kushteve.

“Është një moment që na bën të mendojmë se duhet ta rikthejmë vëmendjen në këtë aspekt dhe kjo jo vetëm se është një kërkesë ligjore për mbrojtjen e jetës së punëmarrësve në vendin tonë, por edhe se kërkohet që vetë biznesi ta kuptojë këtë aspekt si shumë domethënës dhe të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. Në Shqipëri nuk kemi shifra të ekzagjeruara të aksidenteve, por biznesi shqiptar duhet ta kuptojë që rritja e sigurisë, e cilësisë dhe shëndetit në punë është një mundësi më pak për shpenzime për ta dhe minimizim i probabilitetit për ndodhjen e tyre”, tha ministri Klosi.

Sakaq, ai solli në vëmendje sërish arsimin profesional, pasi siç u shpreh ministri, të dhënat nga zyrat e Punës tregojnë se sot janë 26 800 vende pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar.

“Në bisedë me shumë biznesmenë, në bisedë me të gjithë ata që ofrojnë punë, ne shohim se kemi një situatë paradoksale në vendin tonë.

Në zyrat tona të Punës, sot kemi plot 150 mijë veta që kërkojnë punë, ndërkohë që po në të njëjtat zyra dhe sportele kemi 26 800 vende të lira pune. Pra, biznesi kërkon punë, Shqipëria nuk ofron punonjës të kualifikuar”, nënvizoi Klosi.

Po ashtu, ministri shtoi se “zyrat tona të punës në gjithë Shqipërinë duhet të jenë shumë më tepër aktive duke ofruar negociata midis biznesit dhe punëmarrësit, me qëllim që vendet e reja të punës t’u bëhen me dije qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Klosi.