PD: Rama, 429 milionë lekë nga taksat e qytetarëve për të gjelbëruar rrugën e shtëpisë së re

Partia Demokratike denoncoi sot atë që e cilësoi si shpërdorimin e pushtetit dhe të fondeve publike që ka bërë Edi Rama, duke hedhur 429 milionë lekë për të gjelbëruar rrugën që të çon tek shtëpia e tij e re në Surrel.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e konsideroi këtë vendim të Ramës, si një masë për të rritur luksin e tij personal, në kohën që shqiptarët po vuajnë cdo ditë e më shumë varfërinë e thellë. “Po ju paraqesim sot një dokument, një vendim i cili tregon se si në mënyrë klienteliste dhe në mënyrë preferenciale shkojnë fondet publike të kësaj qeverie. Me vendimin numër 17 të datës 19 Nëntor 2014, Kryeministri dhe qeveria kanë dhënë 429 milionë lekë për gjelërimin anësor të rrugës së Surrelit që është edhe shtëpia e Kryeministrit. Meqënëse Kryeministri do të vijë në Janar në shtëpinë e re, në nëntor ka sjellë 429 milionë lekë për gjelbërim. Dhe siç e shihni, kjo zonë nuk është një zonë që nuk ka gjelbërim por kjo shërben që Kryeministri të ndërtojë Shqipërinë e tij nga zyra në shtëpi”, tha Salianji. Sot, realiteti për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është i zymtë. Shqipëria është më e varfër, shqiptarët janë më të papunë. “Shqiptarët paguajnë më shumë taksa, paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë. Heqin bukën e fëmijëve dhe familjes për ta paguar taksat dhe çmimet e rritura për këtë qeveri. Dhe qeveria çfarë bën? Nuk i çon fondet publike për të rritur punësimin. Nuk i çon fondet publike aty ku sillet zhvillim. Por i çon fondet publike për të ndërtuar një Shqipëri paralele, një Shqipëri të luksit që nis nga zyra e Kryeministrit dhe ministave dhe përfundon tek shtëpia personale e kryeministrit”, theksoi kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike.

Advertisement