PD protestë në Kukës, Basha: LSI streha e maskarenjve

Partia Demokratike ka protestuar ditën e sotme në Kukës kundër qeverisë duke kërkuar largimin e Kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama.Në fjalën e tij Kreu i PD Lulzim Basha akuzoi qeverinë dhe konkretisht dyshen Rama-Meta që sipas tij po e çojnë vendin drejt çdo ditë e më shumë drejt greminës.
Basha theksoi se vendi sot qeveriset nga një bandë, duke kërkuar që kuksianët t’i ndëshkojnë me votë më 21 qershor në zgjedhjet vendore. Kjo pasi për kreun e demokratëve vendi ka nevojë për një ofertë të re që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe opozita e ka gati një të tillë.
“Se i thamë që kur deputeti ishte i kërkuar në Belgjikë, e mori e bëri aleat. Po tani kur erdhi kërkesa nga Brukseli që kërkon arrestin për vrasje çfarë do të thotë Edi Rama? A do të mbajë përgjegjësi, e përdori për hetimet ndaj Ilir Metës, votoi ligje me të. Rama e ka mbushur grupin parlamentar me të inkriminuar. Kur mbarë populli janë tronditur nga gangsterët, i vetmi që nuk thotë termin dekriminalizim është Edi Rama. Por kriminalizimi është nëna e të gjihë të këqijave, ndonëse Rama nxjerr çdo ditë zëdhënësit e tij të flasin. Populli është në këmbë, në sheshin e bashkimit, me qytetarët e ndershëm me të cilin duhet të bëjë ballafaqim. Ne do t’i nxjerrim banditët nga zyra me hir apo me pahir. Ne jemi të vendosur ta çojmë betejën deri në fund. Por ky është hapi i parë, përpara kemi ndarjen përfundimtare nga krimi dhe këtë do ta bëjmë më 21 qershor. Vendi ka nevojë për një ofertë të re për të cilën koha po afron. Kemi një ofertë të re të një qeverie që ndodhet në krahun tuaj, që jep llogari, për një rend të ri, për ulje taksash, për faljen e kamatvonesave, lekët për investime. Ora e së vërtetës po vjen.” tha në fhalën e tij Basha.
Kreu i demokratëve u ndal edhe tek kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, i cili pas dy mandateve të fituara në radhët e PD, kaloi në krahun e LSI-së. Kjo sipas Bashës ndodhi në një kohë kur ai kishte abuzuar me fondet, dhe siç tha ai “gjeti strehë aty ku strehohen të gjithë maskarenjtë.”
“Jemi mbledhur sot këtu mijëra burra dhe gra, për të bashkuar zërin e protestës të popullit në këmbë, sepse koha nuk pret. Sepse çdo ditë më shumë është një ditë më shumë në skamje, në papunësi, në borxhe, në vuajtje dhe mjerim. Nuk pret koha sepse çdo ditë që kalon është një ditë më shumë në humbjen e besimit, mungesën e perspektivës. Nuk pret koha më, sepse Kukësi, Shqipëria janë në grykë të humnerës. Janë mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet, faturat e larta të energjisë, taksat në qiell. Nuk ka sit ë ketë punë, çmime normale, sepse ky vend nuk ka qeveri. Po po nuk ka qeveri. Këta që e mbajnë veten për qeveri janë një grusht njerëzish me pushtet që bëjnë të kundërtën e asaj që u votuan. Po të kishte qeveri, do të kishte rrugë të reja, dyshja që i kanë zyrat përballë njëri-tjetrit do ta shihnin realitetin në sy. Do të ulnin çmimin e energjisë. Do të merrnin ato shuma parash që i shpenzojnë për palma, po për projekte. Kjo nuk ndodh sepse përpara kemi një bandë. Dhe kur të gjithë mendojnë se nuk ka ku të shkojë më keq, atyre përditë ju pjell mendja nga një zullum të ri. Por ato kanë vendosur taksë edhe për rrugën e Kombit, e cila është në dëmin tuaj. Po çfarë bëjnë? Dyshja Rama-Meta janë zhytur në një garë të shëmtuar, korrupsioni, qindra mijëra euro po ndajnë me klientët e tyre kur qytetarë të shumtë janë në kufinjtë e mbijetesës. Këtë rrugë kanë zgjedhur. Të njëjtin sistem është ngritur edhe këtu në Kukës nga bashkiaku në ikje. Pasi abuzoi me fondet, gjeti strehë tek LSI e Ilir Metës. Sepse LSI është streha e maskarenjve. Bashkiaku juaj në ikje e kuptoi mirë se jo vetëm me demokratët, por edhe me kuksianët i kishte të ndara rrugët sepse ju nuk mund të përfaqësoheni kurrë me një Ilir Metë që quhet Hasan. Por strehë e maskarenjve është bërë e gjithë ngrehina e qeveritarëve.” tha Kreu i demokratëve.

Advertisement