Me argumentin se organizuar tubim të paligjshëm, kundërshtuan polcinë, prishën rendin dhe qetësinë publike, si dhe shkatërruan pronën, policia i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë hetimet për 9 deputetë të Partisë Demokratike.
Të nëntë demokratët e kallëzuar (Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri) ndodheshin në protestën e një dite më parë tek Parku i Liqenit dhe sipas policisë, bashkë me protestuesit çanë kordonin e forcave të rendit me veprime të dhunshme, duke lënduar 3 policë bashkiakë.
Kallëzimi arsyetohet me pamjet filmike, dëshmi dhe raportet e shërbimit. Ndaj deputetëve Noka dhe Strazimiri policia ka ngritur edhe dy akuza të tjera. Për Nokën i kërkohet Prokurorisë së Përgjithshme që ta hetojë edhe për goditje të një efektivi.
Kurse sa i takon Strazimirit kërkohet që ai të hetohet edhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve. Sipas kallëzimit, deputeti Strazimiri gjatë protestës, krahas veprimeve ndaj policisë, i dallohej në brez një pistoletë.
Zoti Strazimiri, thuhet më tej, ka qenë i pajisur me këtë armë prej marsit 2009, kohë kur mbante poztin e zv.ministrit të Brendshëm. Por ndërsa me ndryshimet e ligjit deputeti duhet ta dorëzonte armën, ai, vijon kallëzimi, nuk ka kryer asnjë veprim edhe pse është njoftuar nga komisariati numër 3 i kryeqytetit.
Por për mazhorancën socialiste, ndjekja penale për deputetin Strazimiri nuk është e mjaftueshme. Taulant Balla e cilësoi këtë një test për Partinë Demokratike.
“Kërkojmë që Gent Strazimiri të ndiqet penalisht. Kujtojmë që vepra penale e kryer prej tij është e përfshirë edhe në ligjin e dekriminalizimit”, tha Balla.
Por edhe opozita nga ana e saj kërkon hetime për policinë. “Partia Demokratike paraqiti sot në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj kryeinspektorit të policisë bashkiake dhe drejtuesit të qarkut të policisë të Tiranës për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe veprës penale të pengimit me dhunë të të drejtës së dhe lirive për tubime dhe manifestime”, deklaroi deputeti Arben Ristani, që depozitoi padinë e opozitës.