PD: Komisioni i Venecias cilëson legjitime shqetësimet e opozitës

Partia Demokratike përshëndeti të premten miratimin nga Komisioni i Venecias të draftit të Opinionit të shpërndarë pak kohë më parë për reformën në drejtësi, ku sipas PD-së, “cilësohen si legjitime shqetësimet e opozitës për kapjen politike, për të cilën Venecia ka rekomanduar çmontimin e kapjes”.

Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së Eduard Halimi deklaroi se “Venecia ka rekomanduar që palët politike të arrijnë një konsesus bazuar në parimet dhe kriteret e Venecias”.

Advertisement

“Falenderim i jashtëzakonshëm për profesionalizmin, paanesinë dhe parimet themelore që përshkruan bashkëpunimin gjatë këtyre muajve me Komisionin e Venecias. Falenderim eksperteve të PD për përkushtimin dhe profesionalizmin që përshkroi gjithë këtë proces”, tha ai.

Halimi theksoi se PD ndjehet e inkurajuar që çështjet e ngritura në shtator 2015 nga opozita, të ringritura në janar e shkurt 2016, janë cilësuar si legjitime dhe i janë lënë marrëveshjes politike për t’u dakordësuar.

“Koha që palët politike të ulen dhe të vendosin për të gjitha çështjet politike, bazuar në një dialog politik të sinqertë, bazuar në parimet dhe kriteret e Venecias”, shtoi ai.