Bashkimi Europian po sheh si mundësi për të hapur kufijtë që qytetarët të lëvizin lirshëm, vetëm nëse do të kenë të ashtuquajturën pasaportë e Covid, një vërtetim që dëshmon kryerjen e vaksinës.
Lajmi është konfirmuar sipas REL, edhe nga selia e Komisionit Europian në Bruksel, por për shkak të disa problematikave që mund të hasen, duhet të shqyrtohet në nivel të BE-së.
Ekspertët e Komisionit Europian thonë se kjo do ishte e ngjashme me vërtetimin e testit të virusit me rezultat negative, që sot kërkohet në disa shtete për të kaluar kufirin.
Ideja erdhi fillimisht nga kryeministri Greke, të cilën ua paraqiti përmes një letre drejtuar Komisionit Europian dhe liderëve politikë të BE-së.
Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e ka përkrahur, megjithëse u bë një sqarim se ajo e shprehu këtë në cilësinë personale, për shkak të përvojës së saj si ish punonjëse në sektorin shëndetësor.
Me datë 21 janar është parashikuar të mbahet një samit virual mes liderëve të BE-së ku do të diskutojnë idenë.
Megjithatë dalin disa problematika:
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se një ide e tillë do të krijojë një frustrim të madh nëse fillon të zbatohet tepër herët, pasi sipas tij, askush nuk e di se kur do të mund të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët duan të vaksinohen.
Vendet anëtare të BE-së janë duke u përballur me ngecje në procesin fillestar të vaksinimit, për shkak se në treg ende nuk ka sasi të mjaftueshme të vaksinave.
Shumë ekspertë kanë tërhequr vërejtjen se shtetet nuk mund të diskriminojnë ata të cilët nuk janë vaksinuar, nëse në të njëjtën kohë nuk u është siguruar mundësia e vaksinimit.
Po ashtu ideja prek edhe çështjen e të drejtave të njeriut. Në vendet anëtare të BE-së parimisht, vaksinimi nuk është me detyrim.
Nëse vërtetimi për vaksinim kërkohet si “pasaportë për të udhëtuar”, atëherë në një mënyrë vaksinimi bëhet i obligueshëm për të ushtruar të drejtën e lirisë së lëvizjes.
Gjithashtu është përmendur edhe mundësia që për shtetasit e huaj vaksinimi të bëhet si kusht për hyrje në territorin e BE-së.
Ideja për “pasaportat COVID-19” është me shumë pikëpyetje edhe nga aspekti epidemiologjik sepse nuk ka dëshmi se të vaksinuarit që mund të kenë imunitet, nuk e përhapin virusin te të tjerët.