Ferronit Shabani, reperi nga Gjilani i njohur me nofkën Fero, është sulmuar ditën e martë në lagjen Veternik në Prishtinë nga disa persona të dyshuar.
Pasi lajmi bëri bujë në media, reperi i ri që është pjesë e On Records mohoi të jetë rrahur “shumë” në një video ku në prapa shihet menaxheri i tij, Met Elshani, i cili nuk ishte i pranishëm në momentin e sulmit. Nuk vonoi shumë dhe u publikua edhe një video gjatë këtij momenti, që doli krejtësisht e kundërta e asaj çfarë tha Fero.
Ditën e Sotme, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj në një prononcim për GazetaBlic ka treguar se personat që rrahën Feron janë arrestuar, duke zbuluar kështu dhe inicialet e tyre.
“Sot njësitë policore të stacionit jugu në Prishtinë kanë arrestuar katër persona të dyshuar për lëndim trupor që ka ndodhur me datën 20.03.2018, në lagjen Veterrnik ne Prishtine. Personat e dyshuar D.D (1999), A.S (1997), R.Y. (1998) dhe L.U. (1998), pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj.
Ajo gjithashtu ka folur edhe për armën me të cilën ishte kërcënuar reperi Fero.“Policia ka arritur që nga të dyshuarit të konfiskojë një shkrepse në formë të armës”, përfundoi ajo.