Dy dhomat e parlamentit italian miratuan sot një kërkesë të qeverisë për rritjen e borxhit publik deri në 20 miliardë euro për të financuar një paketë shpëtimi për bankat, duke filluar me bankën “Monte dei Paschi di Siena (MPS)”.
MPS-ja, e themeluar në vitin 1472 si dhe huadhënësja më e vjetër në botë, po mundohet të realizojë një rikapitalizim prej pesë miliardë euro deri në fund të vitit, ashtu siç kërkohet nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Një rezolutë në favor të planit të qeverisë u miratua në një votim me 389 vota pro, 134 vota kundër dhe tetë abstenime, në Dhomën e Ulët të parlamentit.
Pak minuta më vonë, Senati gjithashtu votoi me 221 vota pro, 60 kundër dhe tre abstenime.
“Shuma prej 20 miliardë euro është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e një sektori bankar italian që është i fortë, i shëndetshëm dhe me disa raste të njohura kritike me karakteristika të veçanta për secilin”, tha ministri italian i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan.