Pallati 11-katësh, arrestohet Shpëtim Gjika

Me vendim Gjykate është arrestuar kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika.

Bashkë me kryebashkiakun janë arrestuar edhe një biznesmen dhe drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e qytetit bregdetar.
Është Prokuroria e Vlorës, e cila ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjikën, drejtoreshën e Urbanistikës Doriana Sulaj dhe biznesmenin Artur Haxhi.
Gjika dhe zyrtarja tjetër e Bashkisë akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë dhënë leje të jashtëligjshme për ndërtimin e një pallati 11 katësh.
Burime nga Prokuroria e Vlorës thanë se kreu i Bashkisë Shpëtim Gjika ka penguar organin e akuzës në zbardhjen e të vërtetës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës:
Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm të kryera në bashkëpunim”
Doriana Sulaj, 35 vjeç, me detyrë Shefe e Urbanistikës në Bashkinë Vlorë për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” të kryera në bashkëpunim
Artur Haxhi, 30 vjeç, banues në Vlorë, pronar i firmës së ndërtimit “Turi MZB” shpk, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Mashtrimi” të kryera në bashkëpunim.
Urdhri i ndalimit është firmosur nga Prokurori Ramadan Troci i cili ka kaluar në krye të prokurorisë së Vlorës vetëm pak muaj më parë, prokurori që arrestoi edhe ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.

Advertisement