Oprah Winfrey tregon pse nuk u martua asnjëherë

Oprah Winfrey, një nga gratë më me influencë në botë zbuloi për “O Magazine” pse nuk u martua asnjëherë me Stedman Graham, partneri i saj prej 30 vitesh.  Ajo tregoi se e refuzoi propozimin e tij në 1993-in dhe nuk u tundua më kurrë nga ideja e kurorëzimit pasi programi ishte prioriteti i saj i jetës.

“Kuptova që në fakt nuk doja të kisha një martesë. Doja të më merrej mendimi. Doja të dija nëse ai më ndjente si të denjë për të qenë gruaja e tij, por nuk doja të bëja sakrificat dhe kompromisin e përditshëm për të cilat ka nevojë një martesë. Programi ishte prioriteti i jetës sime dhe këtë e dinim që të dy.”- u shpreh  moderatorja e famshme.

Oprah shtoi se nëse ajo dhe partneri i saj do të ishin martuar, ndoshta nuk do të ishin më bashkë.

Kjo nuk është hera e parë që Winfrey flet për vendimet që ka marrë lidhur me mospasjen e një familje tradicionale. Ajo ka pohuar më herët se ka qenë gjithnjë kundër idesë për t’u bërë nënë. Filantropistja shpjegoi asokohe që dinte mirë çfarë përgjegjësie dhe sakrifice kërkohet për të rritur siç duhet një fëmijë.

/Opinion.al/