Opozita kërkon dorëheqjen e Metës, braktis komisionin e Ligjeve

    Deputetët e opozitës braktisën sot mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve, duke këmbëngulur në dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

    Nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi kërkoi që shkarkimi i Metës të vihet në rend dite, duke penguar kështu zhvillimin normal të mbledhjes, ku do vijonte diskutimi i pr/ligjit “Për hapjen e dosjeve ish-Sigurimit të Shtetit’. Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj tha se, opozita refuzon të mbledhë Këshillin e Legjislacionit për këtë çështje.
    Pas akuzave të deputetit Tom Doshi se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është porositës i një atentati ndaj tij, opozita përshkallëzoi veprimin e saj duke këmbëngulur në dorëheqjen e kryeparlamentarit. Ajo depozitoi në Kuvend kërkesën për shkarkimin e z. Meta, e cila, sipas procedurave, më parë duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Legjislacionit, dhe më pas të votohet në Kuvend.
    Por, në seancën e fundit plenare Meta kërkoi që Kuvendi ta shqyrtonte kërkesën e opozitës, ndërkohë që kjo e fundit refuzoi duke këmbëngulur në largimin e tij të menjëhershëm.

    Advertisement